Izraeli del me njoftim për bastisjet në Gazë

  • A.P /
  • 26 October 2023 - 16:28
Izraeli del me njoftim për bastisjet në Gazë

Trupat ushtarake izraelite kanë hyrë për pak në mesnatën e së enjtes në Gazë, për t’u përgatitur për fushëbetejë, ka thënë ushtria e Izraelit, dy javë pasi i ka shpallur luftë grupit militant palestinez Hamas, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Më 7 tetor, militantët e Hamasit kanë kryer sulme në tokën izraelite duke i lënë mbi 1.200 njerëz të vrarë. Hamasi besohet se i ka marrë nga Izraeli edhe mbi 200 pengje.

Bastisjet ushtarake të Izraelit në Gazë janë kryer teksa Kombet e Bashkuara kanë deklaruar se rrezikojnë të mbesin pa naftë në këtë territor.

Gaza është nën rrethim të ashpër – ka mbetur pa ushqim, ujë dhe ilaçe – prej kur Hamasi i ka nisur sulmet në Izrael.

Rritja e numrit të viktimave në Gazë është e pashembullt në konfliktin që vazhdon me dekada mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se mbi 7.000 palestinezë janë vrarë në konflikt, ndonëse kjo shifër nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.

Ushtria izraelite ka thënë se po i sulmon vetëm shënjestrat e militantëve dhe e ka akuzuar Hamasin se po vepron në mesin e civilëve, në Gazën me popullsi të dendur.

Konflikti është duke kërcënuar me përhapje të luftës në rajon.

Hezbollahu, aleat i Hamasit në Liban, por që përkrahet nga Irani, ka shkëmbyer disa herë zjarr me Izraelin në zonën kufitare.

Izraeli është zotuar se do ta shkatërrojë kapacitetin e Hamasit për të qeverisur në Gazë, apo për ta kërcënuar Izraelin në të ardhmen, por ka thënë se nuk synon që ta pushtojë sërish Gazën, prej së cilës i ka tërhequr trupat më 2005.

Benny Gantz, gjeneral i pensionuar dhe anëtar i Kabinetit të luftës në Izrael, ka thënë se ofensiva tokësore do të jetë vetëm një fazë në procesin e gjatë, që përfshin aspektet sigurie, politike dhe sociale, që do të zgjasë me vite”.

(Kosova Sot Online)