Sveçla kërkon nga vendet evropiane të sanksionohet Serbia për sulmin terrorist në Banjskë

  • A.P /
  • 26 October 2023 - 20:15
Sveçla kërkon nga vendet evropiane të sanksionohet Serbia për sulmin terrorist në Banjskë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka marrë pjesë këtë të enjte në Forumin e Ministrave të Brendshëm nën organizimin e Presidencës Spanjolle të Këshillit të Evropës dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Sipas Sveçlës aty është diskutuar për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, luftimin e substancave narkotike në shoqëritë tona, migrimin, azilin dhe menaxhimin e integruar të kufirit.

Në fjalën e tij Sveçla, ka vënë theksin në sulmet terroriste në veri të Kosovës përgjatë dy viteve të fundit.

Ai ka kërkuar nga vendet evropiane të sanksionohet Serbia për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të këtij viti.

“Në fjalën time theksova angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në luftën ndaj ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, veçanërisht duke njohur faktin që institucionet tona dhe zyrtarët tanë, prej më shumë se dy vitesh janë ballafaquar me sulme të njëpasnjëshme terroriste në veriun e vendit tonë. Duke përshëndetur Rezolutën e Parlamentit Evropian që dënon sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku humbi jetën Rreshter Afrim Bunjaku, ritheksova rëndësinë e sanksionimit të Serbisë si parandalim që sulmet e tilla të mos përsëriten më. Theksova se falë angazhimit dhe profesionalizmit të Policisë sonë, me 24 shtator u parandalua një katastrofë dhe u mbrojtën jetët e qytetarëve, të zyrtarëve të tjerë policor, sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës sonë”, tha ai.

Tutje në njoftimin e ministrit thuhet se ia ka prezantuar punët e ministrisë që drejton, në parandalimin e krimeve të ndryshme.

“Prezantova angazhimet tona si institucione në fushën e drogave, migrimit, azilit dhe menaxhimit të integruar të kufirit si në aspektin e legjislacionit i cili është në përputhje të plotë me direktivat e BE-së, bashkëpunimin me shtetet e rajonit në këto dhe me Agjencitë e BE-së në këto fusha”, tha ai.

(Kosova Sot Online)