Ministrja del kundër Netanyahut: Çojeni në gjykatë si Putinin

  • A.P /
  • 26 October 2023 - 19:28
Ministrja del kundër Netanyahut: Çojeni në gjykatë si Putinin

Ministrja spanjolle për të Drejtat Sociale, njëherazi kryetarja e Partisë Podemos, Ione Belarra, është e para zyrtare e lartë perëndimore e cila ka dalë hapur kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Përmes një postimi në rrjetin social “X” Belarra shkruan se Netanyahu është krejtësisht jashtë kontrollit.

“Netanyahu, në krye të shtetit të Izraelit, është krejtësisht jashtë kontrollit. Ai e shpalli OKB-në të padëshirueshme. Është e rëndësishme që komuniteti ndërkombëtar të ndalojë së përkëdheluri dhe ta kundërshtojë atë. E përsëris: sanksione ekonomike dhe një embargo armësh”, ajo shkroi në X.

Ajo gjithashtu publikoi një video në të cilën sugjeron katër gjëra që vendet evropiane mund të bëjnë sot për të ndaluar gjenocidin në Palestinë.

“Sot mësuam se Netanyahu i ka shpallur Kombet e Bashkuara të padëshiruara në Izrael. Kjo do të thotë se stafi i OKB-së nuk do të ketë viza për të udhëtuar në atë zonë.

Ky është rezultat i faktit se as Netanyahu dhe as shteti i Izraelit nuk janë mbajtur përgjegjës për pushtimin e paligjshëm të territorit palestinez në dekadat e fundit. Janë katër gjëra që vendet evropiane mund të bëjnë menjëherë. Së pari, prishin marrëdhëniet diplomatike me shtetin e Izraelit. Së dyti, zbatoni sanksione të forta ekonomike si ajo që u bë me Putinin”, tha ministrja spanjolla.

Gjithashtu ajo kërkon që Netanyahu dhe liderët e tjerë përgjegjës të çohen në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për bombardimin e civilëve.

“Së treti, futni një embargo armësh. Së katërti, siç u bë edhe në rastin e luftës në Ukrainë, sillni Netanyahun dhe të gjithë liderët politikë përgjegjës për bombardimin e popullsisë civile në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Le të bëjmë diçka, është ende e mundur të ndalet gjenocidi”, përfundoi ajo.

(Kosova Sot Online)