Vuçiq: Albin Kurti dje ofroi nënshkrimin e tri dokumenteve

  • A.P /
  • 27 October 2023 - 20:08
Vuçiq: Albin Kurti dje ofroi nënshkrimin e tri dokumenteve

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje ka bërë një truk të mirë, duke ia ofruar liderëve evropianë nënshkrimin e tri marrëveshjeve, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Këtë, sipas Vuçiqit, Kurti e ka bërë pasi e dine që Beogradi s’do ta pranonte pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Kurti takimin e parë e ka pasur me përfaqësuesit e fuqive të mëdha evropiane, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe më pas kreun e Këshillit Evropian, Borellin dhe Lajçakun. Dhe ai ua prezantoi idenë – le t’i nënshkruajmë të tre dokumentet [Marrëveshjen Bazike, Aneksin e Ohrit dhe draftin e 21 tetorit”, tha Vuçiq, shkruan Euronews në gjuhën serbe.

Më tej, Vuçiq tha se Kurti nuk është i gatshëm që ta formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Dhe fjala është sigurisht për një truk, sepse ai nuk është aspak i gatshëm të formojë Asociacionin. Po flasim për anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe sistemin e organizatave, UNESCO dhe gjithçka tjetër, si dhe për integritetin territorial të Kosovës. Këtë e ka ofruar Kurti”, tha ai.

Tutje, presidenti serb tha se Serbia është gati të bëjë gjithçka përveç njohjes së pavarësisë, integritetit territorial të Kosovës dhe anëtarësimin në OKB dhe organizatat tjera.

(Kosova Sot Online)