Dejona Mihali shfaqet bashkë me drejtorin e AKI-së dhe ministrin e Mbrojtjes

  • A.P /
  • 29 October 2023 - 13:13
Dejona Mihali shfaqet bashkë me drejtorin e AKI-së dhe ministrin e Mbrojtjes

Shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti është parë me Dejona Mihalin, koordinatoren e Komitetit të Lëvizjes Vetëvendosje, një zyrtare me autoritet në partinë në pushtet, ndonëse ajo zyrtarisht nuk është pjesë e Qeverisë.

Mihali dhe Ajeti u panë në Gërmi sot në mëngjes ku përveç Ajetit e Mihalit, shihen edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe këshilltari i tij, Durim Abdullahu.

Më herët raportohej se Mihalit i ishte ndaluar hyrja në Kosovë së bashku me dy anëtarët e tjerë të LVV-së nga Shqipëria, Boiken Abazin e Arbër Zaimin.

Një ndalim i tyre për të hyrë në Kosovë në vitin 2016 raportohej se ishte bërë me rekomandimin e strukturave të atëhershme të AKI-së.

Mihali është në qendër të debateve ndërpartiale, veçmas nga deputeti Haki Abazi i cili para pak kohësh e denonconte atë për “kontroll të rreptë”, aq sa thoshte se ajo ua shkruan edhe fjalimet deputetëve të partisë në pushtet.

“Nga shkurti i vitit të kaluar, kam depozituar kërkesën për formimin e komisionit hetimor për privatizim. Është bllokuar nga Dejona Mihali. Arsyeja pse po e përmendi me emër është sepse është dora, është masha e kontrollit të grupit parlamentar, duke mbivendosur mbi vullnetin e secilit deputetë, e cila vie pa asnjë legjitimitet në Lëvizjen Vetëvendosje. Zonja Mihali nuk ka qenë pjesë e votimit, pjesë e listës së deputetëve, nuk ka qenë në garën e brendshme në LVV, por është njeriu kryesor e cila kontrollon dhe menaxhon me grupin parlamentar dhe vendimmarrjen që bëhet aty”, pati thënë Abazi.

(Kosova Sot Online)