OKB: Palestinezët hyjnë nëpër depo për t’u furnizuar me ushqime

  • A.P /
  • 29 October 2023 - 13:56
OKB: Palestinezët hyjnë nëpër depo për t’u furnizuar me ushqime

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë tha se mijëra persona kanë hyrë me forcë në depo të ndihmës në Gazë për të marrë ushqime dhe “gjësende të tjera elementare për mbijetesë”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Thomas White, drejtor i agjencisë në Gazë, tha më 29 tetor se kjo hyrje në depotë e ushqimeve “është një shenjë shqetësuese se rendi civil ka filluar të prishet” pas tre javësh luftë mes Izraelit dhe Hamasit, që udhëheq me Gazën.

Agjencia, që njihet si UNRWA, ofron shërbime bazike për qindra mijëra persona në Gazë. Shkollat që udhëhiqen nga kjo agjenci në mbarë Rripin e Gazës janë shndërruar në strehimore për palestinezët e zhvendosur nga konflikti.

Gaza është e rrethuar dhe po përballet me sulme të vazhdueshme ajrore, detare dhe tokësore nga Izraeli, që kur Hamasi kreu sulm në Izrael më 7 tetor, duke vrarë mbi 1.400 persona.

Izraeli ka bllokuar furnizimet me karburante, ujë dhe rrymë për në Gazë, ku jetojnë 2.3 milionë palestinezë. Autoritetet izraelite kanë lejuar vetëm një pjesë të vogël të ndihmës për palestinezët që ka hyrë nga pikëkalimi Rafah, që lidh Gazën me Egjiptin.

(Kosova Sot Online)