Suspendohet nga puna kryetari i sindikatës së minatorëve

  • A.P /
  • 30 October 2023 - 16:08
Suspendohet nga puna kryetari i sindikatës së minatorëve

Kryetarin e Sindikatës së minatorëve, Ibrahim Jonuzi, e ka suspenduar nga puna menaxhmenti i Trepçës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kjo është konfirmuar nga vetë Jonuzi i cili e cilësoi një vendim të tillë anti-ligjor.

“Është i vërtetë suspendimi nga puna. Arsyetimi ka qenë se unë nuk jam organizatori i kësaj greve, por jemi vetëm ndërmjetësues mes bordit dhe punëtorëve. Është një vendim anti-ligjor që nuk i shërben demokracisë”, tha shkurtimisht Jonuzi për Reporteri.net.

Dje, menaxhmeti i Trepçës publikoi pamje të punëtorve, ku sipas tyre shihet qartë sabotimi dhe bojkotimi i punës.

Sot është dita e shtatë prej kur minatorët e minierës me flotacion kanë hyrë në grevë. Ata po kërkojnë realizimin e pagës mujore me kohë teksa kërkojnë edhe sigurimin e kushteve të punës. Për këto kërkesa ata po kërkojnë garanci me shkrim.

(Kosova Sot Online)