A është gati Kurti ta nënshkruajë Asociacionin?

  • A.P /
  • 30 October 2023 - 16:29
A është gati Kurti ta nënshkruajë Asociacionin?

Sipas një propozimi ndërkombëtar, Albin Kurti ishte gati ta nënshkruante në Bruksel themelimin e Asociacionit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Aleksandar Vuçiq nuk pranoi dhe kjo s’u bë. Kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë patën takime të ndara me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni. Takimet që ishin planifikuar të ishin të shkurtra, u kthyen në negociata të gjata dhe jo pa rezultat, sipas liderëve europianë. Francezi, gjermani dhe italiania arritën ta kthejnë në binar dialogun që e nxorri sulmi terrorist i 24 shtatorit. Tash ata presin themelimin e Asociacionit dhe njohjen ‘de facto;.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të enjten u kthye sërish në Bruksel për dialogun me Serbinë. Këtë herë s’u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, por pati një takim shumë të rëndësishëm me liderët kryesorë të Europës.

Kurti shkoi atje pasi kishte lexuar në Prishtinë një plan të ri për dialogun dhe një propozim-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që ia sollën paraprakisht pesë diplomatë nga Europa e SHBA-ja.

I gatshëm për t’i nënshkruar marrëveshjet, edhe propozimin europian për Asociacionin e komunave me shumicë serbe u shpreh atje Kurti. Por nënshkrim nuk pati pasi këtë e refuzoi Serbia. Aleksandar Vuçiq kërkonte “zbatimin e asaj që është nënshkruar dikur, apo që është rënë dakord ndërkohë”, duke iu referuar Asociacionit. Por Kurti tha se “pranimi nënkupton nënshkrim” dhe se “vetëm nënshkrimi nënkupton pranimin dhe garanton zbatimin”. Të premten në konferencën për media, bashkë me kryenegociatorin Besnik Bislimi, Kurti tha se draft-statuti i Asociacionit do t’i nënshtrohej testit të Gjykatës Kushtetuese, por nuk sqaroi nëse nënshkrimi nga të dy palët është kusht i tij.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha se Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq të enjten në Bruksel u shprehën të gatshëm për ta zbatuar marrëveshjen për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve. Udhëtimi i kryeministrit të Kosovës dhe presidentit serb drejt kryeqendrës europiane këtë herë konsiderohet më i frytshëm sesa paraprakisht, kur ata ishin takuar atje më 14 shtator, duke mos u pajtuar për asgjë.

Kurti dhe Vuçiq u takuan veç e veç me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni. Sipas Lajçak, i cili mori pjesë në këto takime së bashku me përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, këtë herë Kurti dhe Vuçiq nuk u dakorduan thjesht për modalitetet e zbatimit të marrëveshjes. Ai shkroi në Facebook se të dy kishin komente dhe pyetje mbi propozimin europian për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilat tha se do të sqarohen “javëve në vijim”. Takimet, siç tha Lajçak, “ishin planifikuar të ishin të shkurtra”, por “u kthyen në neogicata të gjata”.

“E mirëpres që të dy liderët treguan gatishmëri për zbatimin e Marrëveshjes, megjithëse nuk arritën të bien dakord për modalitetet. Ata kishin komente dhe pyetje për propozimin europian për statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin ua kemi paraqitur gjatë misionit tonë të përbashkët të shtunën e kaluar”, shkroi ndërmjetësi europian në Facebook.

Lajçak e përshkroi propozimin e tyre për Asociacionin si një mënyrë moderne europiane për zgjidhjen e çështjes së mbrojtjes së pakicave, tha se është në përputhje me standardet më të mira europiane dhe se “nuk i shkel vijat e kuqe të paraqitura nga palët”.

Ai paralajmëroi se do së shpejti do t’i ftojë kryenegociatorët Besnik Bislimi e Petar Petkoviq në Bruksel “për t’i diskutuar hapat e ardhshëm”.

Por Asociacioni – tha Lajçak – “nuk është i vetmi element duhet të zbatohet”. Edhe Serbia “ka shumë obligime të pazbatuara nga Marrëveshja dhe ne duhet të shohim që zbatimi të ecë paralelisht, në mënyrë që edhe Kosova edhe Serbia të marrin atë për të cilën janë pajtuar”, shkroi ai. Tash, sipas tij “fokusi duhet të jetë në avancimin e zbatimit të marrëveshjes pa parakushte dhe vonesa”, dhe “siç e kanë theksuar qartë liderët evropianë, formalitetet nuk duhet të pengojnë këtë proces të rëndësishëm”.

Kurti konfirmoi të premtën në një konferencë për media se ishte i gatshëm ta nënshkruante edhe propozimin e ndërkombëtarëve për Asociacionin, duke thënë se ai parashihte ta merrte parasysh vlerësimin e Gjykatës Kushteutese.

“Drafti për vetëmenaxhim, që e kanë sjellë, është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, dhe që nëse do të nënshkruhej, aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Gjykata Kushtetuese jep vlerësimin për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje”, tha Kurti.

Ai nuk deshi të zbulojë hollësitë e këtij propozimi, duke thënë se dëshiron ta respektojë kërkesën që dokumenti të mos bëhej publik.

Ndërkaq Vuçiq, tha se “jemi të gatshëm të përmbushim gjithçka që lidhet me marrëveshjet e arritura për Kosovën, përveç njohjes ‘de facto’ dhe ‘de jure'”. Ai tha se “nuk mund ta pranojmë pavarësinë e Kosovës”, duke shtuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po përdor “truke i mirë” para liderëve të BE’së pasi ata nuk janë të njoftuar me të gjitha detajet.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se marrëveshja s’ishte e mundur sepse “parakushtet e njërës palë ishin të papranueshme për tjetrën”. Kërkoi angazhim nga palët ndërsa tha se do të insistojnë për një marrëveshje.

Scholz, Macron dhe Meloni kërkuan pas takimeve që Kosova të nisë punën për themelimin e Asociacionit, sipas draft-statutit të propozuar, ndërsa Serbia ta realizojë njohjen ‘de facto’.

Në letrën publike të tre liderëve europianë të lëshuar të premten thuhet: “Me qëllim të arritjes së progresit të shpejt në zbatim, ne i bëjmë thirrje Kosovës që të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, siç përshkruhet në draftstatut, ndërsa Serbisë që ta jetësojë njohjen de-facto. Formalitetet, përfshirë ato ndërlidhur me adoptimin, nuk duhet të qëndrojnë në rrugën e progresit për këtë çështje”.

Scholz, Macron dhe Meloni thanë se “faza e zbatimit duhet të përparojë, ashtu që dy palët t’i kryejnë obligimet në mënyrë paralele, sipas parimit që palët duhet të bëjnë diçka, për të fituar diçka”, Fokusi – thanë ata – “tani është te avancimi drejt zbatimit të plotë të Marrëveshjes, pa parakushte dhe vonesa”.

Scholz dhe Macron pas takimeve në Bruksel, thanë se ato s’ishin pa rezultat. Kancelari i Gjermanisë tha se janë bërë “lëvizje në këtë situatë të zymtë”, ndërsa presidenti francez tregoi se në takime është dënuar sulmi në Banjskë dhe se Vuçiqit i është kërkuar ta dënojë sulmin duke ndërmarrë masat e duhura, ashtu siç konfirmoi se Kosovës i kanë kërkuar themelimin e Asociacionit.

“Tash kemi deklarime nga Kurti dhe nga Vuçiqi se ata do të ndërmarrin vendime të cilat janë pjesë e dokumenteve të ndryshme në të cilat kemi punuar, Marrëveshjen bazike, atë të Ohrit dhe tash konceptin dhe draftin konkret për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Kjo është thënë qartë dhe kjo është me rëndësi. Tash do të shohim se si kjo do të zbatohet”, ka thënë Olaf Scholz në Bruksel.

Macroni ka thënë po ashtu se nga të dyja palët është kërkuar zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit të Ohrit, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe.

(Kosova Sot Online)