Raportohet për viktima nga një shpërthim në kampin e refugjatëve në Gazë

  • A.P /
  • 31 October 2023 - 19:00
Raportohet për viktima nga një shpërthim në kampin e refugjatëve në Gazë

Raportohet për dhjetëra të vrarë të martën nga një shpërthim i madh në një kamp refugjatësh në Rripin e Gazës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e cila udhëhiqet nga grupi militant palestinez Hamas, tha se kampi i refugjatëve Jabalia u godit nga së paku gjashtë sulme ajrore, si pasojë e të cilave u shkatërrua një numër i blloqeve banesore në një zonë banimi.

Ajo raportoi për një numër të madh viktimash, por nuk dha hollësi.

Ushtria e Izraelit ende nuk e ka komentuar shpërthimin në kampin e refugjatëve në veri të Gazës.

I vendosur në Qytetin e Gazës, Jabalia është kampi më i madh i refugjatëve i Gazës nga tetë sosh.

Mbi 160.000 refugjatë ishin regjistruar në të nga Kombet e Bashkuara deri në korrik 2023.

Refugjatët filluan të zhvendosin në këtë kamp pas luftës së vitit 1948. Është një zonë e vogël por e populluar dendësisht dhe përbëhet kryesisht nga ndërtesat e banimit.

Jabalia i ka 26 shkolla në 16 ndërtesa, një qendër për shpërndarjen e ushqimit, dy qendra të mjekësisë familjare, një bibliotekë dhe shtatë bunarë për ujë.

Bashkë me kampin Shati, Jabalia ndodhet në zonën të cilën Izraeli e ka deklaruar si zonë evakuimi pasi nisi bombardimet e Rripit të Gazës, pas sulmeve të militantëve të Hamasit më 7 tetor në qytetet e Izraelit jugor, ku i vranë mbi 1.400 njerëz, kryesisht civilë, sipas zyrtarëve izraelitë.

(Kosova Sot Online)