Hovenier: Ne e mbështesim Kosovën si një shtet të pavarur demokratik e sovran

  • A.P /
  • 31 October 2023 - 20:40
Hovenier: Ne e mbështesim Kosovën si një shtet të pavarur demokratik e sovran

Për rolin e SHBA-ve në dialogun Kosovë-Serbi, ka folur ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

 Ai ka thënë se në fund të fundit, rezultati i këtij procesi është integrimi i Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

“Ai duhet të jetë një proces i udhëhequr nga BE-ja që siguron që të gjitha aranzhimet, reformat dhe proceset të jenë në përputhje me standardet evropiane. Fati juaj është si pjesë e Bashkimit Evropian dhe jo si shteti i 51-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prandaj, është e përshtatshme që Bashkimi Evropian të jetë kryesorja për këtë, me mbështetje jashtëzakonisht të fortë nga ne dhe kështu vazhdon të jetë”, ka thënë ambasadori amerikan për “Politiko”.

Ai tutje u shpreh që nëse do të ishin si SHBA në rolin e lehtësuesit ose negociatorit, me siguri do të duhej të ishin neutral.

“Epo, ne nuk jemi neutral. Ne e morëm vendimin në vitin 2008. Ne e mbështesim Kosovën si një shtet të pavarur demokratik, sovran. Unë ndonjëherë e krahasoj si pjesë të këtij procesi me shikimin e një ndeshje futbolli, ku tashmë mund të dini rezultatin përfundimtar në tabelën e rezultateve, e dini si përfundon ndeshja, e di se çka do të ndodhë në fund”, tha ambasadori.

Ambasadori Hovenier deklaroi po ashtu që si SHBA e nxisin fuqimisht këtë qeveri tani që të punojë me ta dhe Bashkimin Evropian për të zbatuar plotësisht detyrimet që i ka marrë sipas Marrëveshjes bazë, aneksit të zbatimit, ashtu siç flasim edhe me Serbinë për të avancuar këtë vizion.

(Kosova Sot Online)