Zeqiri zbulon takimin me policët specialë

  • A.P /
  • 01 November 2023 - 18:00
Zeqiri zbulon takimin me policët specialë

Kreu i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka folur për protestën e sotme të pjesëtarëve të njësive elitare të Policisë së Kosovës para Qeverisë së Kosovës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Zeqiri ka thënë se kjo protestë ka qenë organizim vullnetar i pjesëtarëve të Policisë dhe s’ka qenë organizim sindikal. Kreu i Sindikatës ka thënë se kanë avokuar për dialog për realizimin e kushteve të policisë.

“Ka qene organizim vullnetar i Policisë dhe jo organizim sindikal. Ne kemi kërkuar dialog, që të gjitha kushtet për përmirësim të gjendjes të realizohen me dialog dhe pa protesta. Krejt kjo që ndodhi, nuk do ta dëshiroja, as s’e dëshiroj në të ardhmen”, ka thënë Zeqiri.

Ai ka zbuluar se kanë pasur takim me pjesëtarët e këtyre njësiteve që kanë protestuar dy ditë më herët për të evituar protestën dhe për të vazhduar me dialog, por thotë se ata kanë qenë të vendosur për protestë.

“Po shumë e vërtetë që jemi takuar kemi biseduar me ta, ka qenë bisedë konstruktive. Kërkesë e jona ka qenë që të jepet edhe pak hapësirë për dialog. Por këta djemtë kanë qenë të vendosur për veprimin që e bënë sot. Jemi takuar pardje, pasi e kanë bërë publike kërkesat e tyre, në tubim si ky para qeverisë. Ne kërkuam të na japin pak hapësirë për dialog. Thjesht që të ulemi një herë në tavolinë edhe ata edhe ne. Ata kanë qenë të vendosur pa e implikuar askënd, as sindikatën e as ndonjë subjekt politik”, ka thënë Zeqiri.

Ai ka thënë se policët protestues s’kanë qenë të dirigjuar nga askush.

“Kanë qenë të pavarur ashtu siç është Policia e Kosovës”, ka thënë ndër të tjera ai.

Kreu i Sindikatës tregon se s’kanë marrë pjesë në protestë meqë organizimi ka qenë vullnetar i policëve, derisa thekson se i përkrahin kërkesat e tyre.

(Kosova Sot Online)