Rrustemi: Korrupsioni gjatë qeverive të kaluara ka qenë sistematik

  • A.P /
  • 01 November 2023 - 21:56
Rrustemi: Korrupsioni gjatë qeverive të kaluara ka qenë sistematik

Korrupsioni gjatë qeverive të kaluara ka qenë sistematik për nga konceptimi dhe nga organizimi, ka deklaruar Adnan Rrustemi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ai ka thënë se sistemi i prokurorisë është lejuar i tillë që të mos luftohet korrupsioni.

”Unë besoj që korrupsioni në Qeverinë e shkuara ka qenë sistematik edhe për nga konceptimi edhe për nga organizimi, madje edhe për nga burimi, ka qenë sistematik. Ka qenë proces i vetëdijshëm. Unë mendoj që pikërisht sistemi i prokurorisë ka mbetur i tillë që të mos luftohet korrupsioni”, ka thënë ai.

Më tutje, Rrustemi ka thënë se ai është i vendosur që të jetë kundër çdo personi që keqpërdor paranë publike në emër të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Unë nuk e arsyetoj asnjë individualisht, kushdo që e shkel ligjin, keqpërdor pasurinë publike, paranë publike. Duhet të përgjigjet ashpërsisht e sidomos dikush që e bën këtë në emër të Vetëvendosjes. Unë jam i përcaktuar në këtë”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)