Çfarë ka porositur von der Leyen duke folur për njohje de facto të Kosovës?

  • E.K /
  • 02 November 2023 - 09:17
Çfarë ka porositur von der Leyen duke folur për njohje de facto të Kosovës?

Pas vizitës disaditore të presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në rajon, duket se deklarata e saj nga Prishtina drejtuar Serbisë – se pritet që Serbia të pranojë njohjen de facto të Kosovës, të cilën presidenti serb Aleksandar Vuçiq deri më tain e ka refuzuar vazhdimisht si mundësi – duket se ka bërë jehonë më të madhe. Analistët serb po përpiqen ta interpretojnë “këtë befasi për Serbinë” duke pretenduar se askush nuk e di saktësisht se çfarë do të thotë mesazhi i saj për njohjen de facto.

Në një konferencë të përbashkët për media me presidentin Vuçiq, Von der Leyen ka sqaruar fjalët e saj nga Prishtina, duke thënë se në të vërtetë i referohet zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, e cila parasheh hapa të ndryshëm, njohjen e dokumenteve, sovranitetin territorial, mos pengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare…,  por edhe formimin e Asociacionit.

Me këtë rast, Vuçiqi reagoi me retorikën e tij të njohur demagogjike duke pretenduar se “Serbia është e përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit dhe se i di obligimet që do t’i përmbushë”, por edhe se është e qartë se çfarë nuk mund të bëjë, duke theksuar se për Serbinë njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është çështje.

Duke interpretuar mesazhin e von der Leyen, i cili, sipas portalit serb “Kosovoonline” është në kundërshtim me “qëndrimin e prerë” të Serbisë, profesori i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, Stefan Surlliq, ka thënë për këtë portal se “askush nuk e di saktësisht se çfarë nënkuptohet me mesazhin që Presidentja i Komisionit Evropian i dërgoi Serbisë për pritjet për njohjen de facto të Kosovës, por që ajo mund të shihet në bazë të pikave të dakorduara me planin franko-gjerman dhe aneksin e Ohrit”.

“Për herë të parë e dëgjuam këtë term në deklaratën e tre liderëve më të fuqishëm të BE-së, kancelarit të Gjermanisë Olaf Scholz, Presidentit të Francës Emmanuel Macron dhe Kryeministres së Italisë Giorgia Meloni. Askush nuk e di se çfarë do të thotë saktësisht, por në bazë të pikave për të cilat tashmë është dakorduar në marrëveshjen gjermano- franceze dhe aneksin në Ohër, mund të supozojmë se bëhet fjalë për pranimin e dokumenteve të lëshuara nga institucionet e Kosovës, pastaj prezantimin e Kosovës pa ylli dhe shenja të UNMIK-ut në forumet rajonale dhe braktisja e politikës së bllokimit të Kosovës në nivel ndërkombëtar dhe të vazhdimit të fushatës për çnjohje të pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Surlliq.

Për analistin serb Ognjen Gogiq, mesazhi i von der Leyen nuk është një kusht i ri, por që nga ai “lexohet” se eufemizmat dhe përpjekjet për të mbuluar diçka më nuk vijnë nga BE-ja.

“Ajo që tha ajo nuk është një kusht i ri, por në fakt ata thjesht e kanë riformuluar kushtin ekzistues. Pra, kur analizohet propozimi franko-gjerman, dmth. dokumenti Bruksel-Ohër, nëse Serbia do ta pranonte këtë dokument, nëse do t’i përmbahet dhe e respekton, ajo do t’u dërgonte mesazh të gjithëve se Serbia de facto ose në mënyrë implicite e njeh Kosovën si shtet të pavarur”, ka thënë Gogiq për “Kosovoonline”.

(Kosova Sot Online)