Ku do të shkojnë mbi 3 miliardë euro të buxhetit të Kosovës për vitin 2024?

  • A.P /
  • 02 November 2023 - 16:03
Ku do të shkojnë mbi 3 miliardë euro të buxhetit të Kosovës për vitin 2024?

 Qeveria Kurti ka miratuar projekt-buxhetin për vitin 2024. Projekt-buxheti që kap vlerën 3 miliardë e 314 milionë euro, do t’i dërgohet për votim së shpejti Kuvendit të Kosovës. Por, ku e për çka do të shkojnë këto mjete?

 

Sipas projekt-buxhetit që ka siguruar, nga kjo shumë, 805 milionë e 389 mijë e 668 euro janë paraparë për paga dhe shtesa, 484 milionë e 741 mijë euro do të shkojnë për mallra dhe shpenzime, 34 milionë e 185 mijë e 862 euro për shpenzime komunale, 1 miliard e 62 milionë e 315 mijë e 550 euro për subvencione dhe transfere, 859 milionë e 176 mijë e 429 euro për shpenzime kapitale, 10 milionë e 204 mijë e 408 euro për rezerva, derisa 46 milionë e 309 mijë e 284 euro është interesi.

Shumica e investimeve kapitale të parapara me buxhetin për vitin 2024, janë projekte të bartura nga vitet paraprake.

 

 

Një prej projekteve të reja që është paraparë me këtë buxhet është ndërtimi dhe renovimi i Kampit “Belvedere” në Mitrovicë, apo siç njihet zyrtarisht Qendra e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës “Enver Zymberi”. Për këtë projekt janë ndarë 1 milion euro për vitin 2024. Punimet në të pritet të fillojnë në janar të vitit 2024, e të përfundojnë në dhjetor të vitit 2026. Kostoja totale e projektit është 4 milionë euro.

Tek investimet kapitale të nivelit qendror, është edhe projekti për ndërtimin i çerdheve modulare në 7 regjionet e Kosovës, Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj, Prizren dhe Gjakovë. Për vitin 2024, janë ndarë 3.2 milionë euro për këtë projekt, derisa në total pritet të kushtojë 10 milionë e 745 mijë euro.

Në projekt-buxhetin për vitin 2024, është përfshirë edhe ndërtimi i Sallës Koncertale në Prishtinë, për të cilin projekt janë ndarë 850 mijë euro.  Ky projekt pritet të nis nga janari i vitit 2024 dhe të përfundojë në nëntor të po të njëjtit vit.

Ndërtimi i shtratit të lumit Llap, është projekt tjetër i ri, për të cilin janë ndarë 1 milion euro dhe pritet të fillojë në shkurt të 2024. Ky projekt në total parashihet të kushtojë 5 milionë dhe pritet të përfundojë me 2026.

Projekt i ri është edhe rregullimi dhe rehabilitimi i Pellgut Drini i Bardhë. Për këtë janë ndarë 950 mijë euro për vitin 2024, derisa në total pritet të kushtojë 2 milionë e 950 mijë euro.

Me këtë projekt-buxhet, Qeveria ka paraparë edhe renovimin e shtëpisë së Adem Demaçit. Për vitin 2024, janë ndarë 50 mijë euro për këtë qëllim, e që në total pritet të kushtojë 100 mijë euro.

100 mijë euro janë ndarë për renovimin e ndërtesës së Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Në total, renovimi i këtij objekti pritet të kushtojë 500 mijë euro. Janë ndarë edhe 500 mijë euro për blerjen e veturave për këtë ministri.

Investime kapitale do të bëhen edhe në Qendrën e Paraburgimit të Gjilanit, sipas marrëveshjes me Danimarkën, për dhënien në shfrytëzim të qelive. 

Për vitin 2024, janë ndarë 1 milion e 400 mijë euro për renovimin e objekteve të kësaj qendre, sipas rekomandimeve të shtetit danez. Ky projekt në total pritet të kushtojë 2.4 milionë euro. 600 mijë euro janë ndarë për furnizimin dhe instalimin me pajisje për ngritjen e sistemit të sigurisë, si dhe 750 mijë euro për funksionalizimin dhe instalimin me pajisje të IT në këtë qendër, sipas rekomandimeve të shtetit danez.

Me projekt-buxhetin e vitit 2024, Qeveria ka paraparë edhe ndërtimin e Qendrës së Paraburgimit dhe Qendrës Korrektuese në Prizren, për çka ka ndarë 450 mijë euro. 450 mijë euro tjera janë paraparë për ndërtimin e Institucionit Korrektues për Femra në Lipjan. Kostoja totale e këtij projekti pritet të jetë 7 milionë e 200 mijë euro.

Tek projektet kapitale është paraparë edhe renovimin e kulmit dhe rikonkstruksionit të hapësirave të brendshme në objektin  Institutit të Mjekësisë Ligjore, për çka janë ndarë 120 mijë euro.

300 mijë euro janë ndarë për ndërtimin e objektit të Depos Qendrore të Barnave.

140 mijë euro janë paraparë për blerjen e shtatë veturave për Zyrën Kombëtarë të Auditimit, ndërkohë 720 mijë euro janë ndarë për projektin për teknologji të numërimit në Qendra Komunale të Numërimit dhe Qendrën e Numërimit të Rezultatave.

Me këtë projekt-buxhet, 75 mijë euro parashihen për qendrat e monitorimit me kamera të sigurisë në gjykata, dhe 150 mijë euro për dixhitalizimin e arkivave në gjykatat e vendit.

Tek rehabilitimi i rrugëve, pothuajse të gjitha janë projekte të bartura nga vitet paraprake. Për zgjerimin e dhe rehabilitimin e rrugës magjistrale Prishtinë-Mitrovicë, projekt që ka nisur nga viti 2010, janë bartur 2.5 milionë nga 2023’ta, për rrugën magjistrale Prishtinë-Pejë, e nisur poashtu nga 2010, janë bartur 17 milionë, derisa për atë Prishtinë-Podujevë, 13 milionë euro. 10 milionë janë bartur për ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë, që ka kosto totale 34 milionë.

As tek autostradat nuk ka ndonjë projekt të ri. Përmendet vetëm rruga nacionale Prishtinë-Gjilan-Konqul, e nisur nga viti 2017, që pritet të përfundojë në vitin 2026. Për këtë projekt janë bartur 17 milionë euro nga viti 2023. Vlera totale e këtij projekti parashihet të jetë rreth 129 milionë euro.

Për ndërtimin e shtëpive në pjesën veriore të Kosovës, projekt i nisur në vitin 2022, janë bartur 1 milionë, derisa për programin e banimit social 14 milionë e 250 mijë euro.

Për shpronësimet e nisura nga viti 2008, janë bartur 20 milionë euro.

 

(Kosova Sot Online)