Malcolm: Bashkimi kombëtar i shqiptarëve është opsion i rrezikshëm

  • A.P /
  • 02 November 2023 - 22:16
Malcolm: Bashkimi kombëtar i shqiptarëve është opsion i rrezikshëm

Noel Malcolm, historiani i njohur britanik ka folur edhe për çështjet aktuale që lidhen me Kosovën, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ai ka thënë se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë nuk është një opsion praktik.

Madje ka shtuar se mund të shihet edhe si veprim i rrezikshëm.

”Në rrethanat e tanishme të politikave dhe qëndrimeve të fuqive kryesore perëndimore, mendoj se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë nuk është opsion praktik. Ka shumë brenga e frikë, një pjesë e kësaj e bazuar në supozime shumë të rreme. Sidoqoftë, kjo ekziston në mesin e politikanëve e diplomatëve perëndimorë dhe do të shihej disi si masë shumë e rrezikshme e destabilizuese”.

“Ajo që Kosovës i duhet më së shumti, që Ballkanit Perëndimor i duhet më së shumti, është stabiliteti. E dimë se cili është shkaktari kryesor i jostabilitetit – ai është Beogradi. Mendoj se politika e Kosovës tani duhet të jetë që të këmbëngulë në stabilitet, në fuqizimin e gjendjes ekzistuese të punëve, të cilat nuk mund të ndryshohen kurrë, por prapë kërcënohet nga jostabiliteti nga një drejtim dhe kjo është porosi që duhet të shkojë në radhë të parë te BE-ja, e cila kam frikë se në njëfarë mënyre po e lehtëson projektin e Beogradit, dua të them, jo si njëfarë politike e vetëdijshme kundër Kosovës, por vetëm nga një shkallë e pandjeshmërisë politike, duke i shfrytëzuar miqtë e tyre, e këta janë gjithmonë njerëzit më të lehtë për t’i shfrytëzuar. Pra, është një problem dhe mendoj se çelësi për Kosovën është që ta mbajë porosinë e stabilitetit afatgjatë, ku shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor mund të pajtohen, dhe, gjithashtu, do të duhej të lobonte në BE dhe në ShBA se gjithçka që e destabilizon Kosovën, e destabilizon tërë rajonin. Kjo është çështje rajonale dhe BE-ja duhet ta mendojë atë kështu e jo vetëm të mendojë: “Ka pak dialog që po vazhdon dhe ndoshta do të funksionojë, nëse thjesht e shtyjmë Kosovën edhe më fort.” Mendoj se kjo është politikë shumë e gabuar. Ju pyetët për të ardhmen e Kosovës më përgjithësisht. Po jetojmë në kohë shumë të vështirë tani, pas pushtimit të Ukrainës, dhe mendoj se ajo që po e shohim është se bota po bëhet shpejt shumë më e polarizuar”.

”Kosova është shumë qartazi, ka qenë gjithmonë shumë qartazi në njërën anë. Është shtet shumë pro-perëndimor, si Shqipëria, është disi thjesht si kulturë e zakonshme – ndjenja pozitive për Shtetet e Bashkuara, për Britaninë, mendoj, për Perëndimin. Këto janë në nivele shumë të larta, shumë më mirë se në disa shtete të tjera në Evropën Juglindore. Përderisa bota bëhet më e polarizuar, Perëndimi do të fillojë që të mendojë më seriozisht se kush janë miqtë e tij e kush nuk janë miqtë e tij. Për t’i shmangur provokimet, nuk do të them armiqtë, por Beogradi ka pozicion shumë të dyshimtë tani: duke refuzuar që ta sanksionojë Moskën, duke mbajtur marrëdhënie të ngushta me Putinin, Vuçiqi duke shkuar në Pekin për konferencën e (projektit) “Rripi dhe Rruga”, ditën tjetër jo në takimin e udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor me BE-në. Ka porosi të qarta që po vijnë nga Beogradi, që duket se janë se pothuajse parapëlqen që t’i mbajë lidhjet e mira me Putinin e ndoshta edhe me Kinën. Në këtë polarizim në rritje, njëra nga forcat e Kosovës është se njihet si shtet shumë pro-perëndimor dhe mendoj se në aspektin afatgjatë, kur gjërat të ndryshojnë, ndoshta për të keq, kjo do të bëhet gjithnjë më e rëndësishme”, ka deklaruar ai. 

(Kosova Sot Online)