Komuna e Malishevës thotë se EULEX’i mbrëmë arrestoi Isni Kilajn, pas bastisjes

  • E.K /
  • 03 November 2023 - 09:59
Komuna e Malishevës thotë se EULEX’i mbrëmë arrestoi Isni Kilajn, pas bastisjes

Kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, ka thënë se EULEX’i e ka arrestuar mbrëmë ish-kryetarin e kësaj komune, Isni Kilaj, pas bastisjes që kreu në shtëpinë e tij, përcjell “Kosova Sot Online”.

Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të komunës, kërkohet lirimi i menjëhershëm të Kilaj dhe të krerëve të luftës së UÇK-së.

“Ne kërkojmë që Gjykata Speciale, të ndërpresë këtë mënyrë të përndjekjes së çlirimtarëve dhe në të njëjtën kohë, kërkojmë që kjo Gjykatë dhe gjykatat tjera kompetente, përfshi edhe Tribunalin e Hagës, që të merret me ndjekjen, arrestimin dhe dënimin e autorëve të vrasjes së afër 400 civilëve të Komunës së Malishevës gjatë viteve 1998-1999 nga ushtria dhe policia e shtetit të Serbisë.

Kujtojmë se në territorin e Komunës së Malishevës, janë vrarë afër 400 civil të pafajshëm, madje janë vrarë në mënyrën më mizore të mundshme dhe deri më sot, nuk është dënuar askush dhe nuk është zhvilluar asnjë proces gjyqësor për këto vrasje, as për dy masakrat e mëdha, atë të Burimit dhe të Gollubovcit”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)