Haxhiu : “Nuk do të ketë autonomi në Kosovë”

  • E.K /
  • 08 November 2023 - 11:07
Haxhiu : “Nuk do të ketë autonomi në Kosovë”

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se kryeministri i vendit, Albin Kurti, i ka njoftuar “në vija të trasha” mbi propozimin e ndërkombëtarëve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, përcjell “Kosova Sot Online”.

Haxhiu tha se në Kosovë “nuk do të ketë autonomi”.

Haxhiu tha se Kosova është shtet i pavarur dhe se nuk do të lejojnë që të ketë një shtet tjetër brenda Kosovës.

“Nuk ka asnjë autonomi. Nuk do të ketë autonomi në Republikën e Kosovës. Kosova është shtet i pavarur dhe nuk do të lejojmë në asnjë rrethanë që të ketë një shtet tjetër brenda shtetit tonë”, tha ajo.

Ministrja nuk deshi të flasë në hollësi për draft-statutin e Asociacionit, pasi tha se “nëse unë do të hyja në detaje të tjera, mendoj se nuk është përgjegjësi e imja”.

“Kryeministri Kurti është partner serioz që i trajton me respekt, por edhe me konsideratë kërkesat e ndërmjetësve. Ai e ka ekipin e tij për dialog, me të cilin ndan dokumente të cilat kanë nevojë të vlerësohen dhe të komentohen. Konsultohet me presidenten e Republikës së Kosovës, po ashtu me kryetarin e Kuvendit, që janë krerë të institucioneve. Kur ka nevojë për vlerësimet e mia si ministre e Drejtësisë, unë jam gjithmonë në dispozicion”, tha Haxhiu.

“Në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje na ka njoftuar në vija të trasha mbi propozimin europiano-amerikan”, theksoi ajo.

(Kosova Sot Online)