Berisha: Nuk mund të pranojmë një marrëveshje që vjen në shkelje të hapur të Kushtetutës

  • A.P /
  • 08 November 2023 - 21:16
Berisha: Nuk mund të pranojmë një marrëveshje që vjen në shkelje të hapur të Kushtetutës

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, e nisi konferencën e sotshme për shtyp me një deklaratë në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë lidhur me marrëveshjen Rama-Meloni për pranimin në Shqipëri të mijërave refugjatëve që kanë zbritur me barka në brigjet italiane, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sali Berisha tha: Italia është vend mik, që i ka dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme dhe të gjithanshme Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Për Shqipërinë, Italia është partneri kryesor i bashkëpunimit bilateral dhe shkëmbimeve më intensive në të gjitha fushat.

Shqipëria ka me Italinë një marrëveshje të firmosur vite më parë, në bazë të së cilës, Italia kthen në Shqipëri, çdo refugjat të vendeve të treta që kalon nga Shqipëria në Itali.

Për PD-në, marrëveshja e djeshme surprizë, e firmosur në Romë nga kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni dhe kryeministri Edi Rama, pas një përgatitje sekrete, është e dëmshme dhe e papranueshme për arsyet që vijojnë.

-Marrëveshja nxit një valë ksenofobie dhe kjo dëmton rëndë moralin dhe virtytin e mikpritjes të kombit shqiptar.

-Marrëveshja bie në kundërshtimi të hapur me Kushtetutën e Shqipërisë dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Strasburgut për të drejtat e Njeriut. Shqipëria ka historinë e saj të shkuar të zezë diktatoriale në raport me të drejtat e njeriut. 

Por Shqipëria sot në narkoregjimin e Edi Ramës, është vendi i përqendrimit të mbi 90 përqind të pushtetit në duart e një njeriu, është vendi i mohimit të hapur i të drejtave kushtuese të qytetarëve dhe deputetëve të saj, është vendi i proceseve dhe burgosjeve politike.

PD deklaron se narkoregjimi i Edi Ramës nuk mund të garantojë respektimin më minimal të të rejtave të refugjatëve. Dëshmi e kësaj është trajtimi çnjerëzor me pasoja vdekje i refugjatëve iranianë në kampin e Manzës disa muaj më parë nga policia shqiptare.

Shqipëria nën narkoregjimin e Edi Ramës është sot vendi me potencialin trafikues më të lartë në Europë.

Territori i saj kontrollohet gjerësisht nga grupet kriminale kombëtare dhe ndërkombëtare të trafikut të drogës, të lidhura siç faktojnë dekodimet e bisedave dhe mesazheve të enkriptuara, në nivelin më të lartë të pushtetit, Edi Ramën, Taulant Ballën, qeveritarë dhe zyrtarë të tjerë.

(Kosova Sot Online)