Ja kush i bën thirrje Komisionit Evropian që t’i largojë 'masat ndëshkuese' ndaj Kosovës

  • A.P /
  • 08 November 2023 - 19:04
Ja kush i bën thirrje Komisionit Evropian që t’i largojë 'masat ndëshkuese' ndaj Kosovës

Deputeti i Parlamentit Evropian (PE) nga radhët e të Gjelbërve, Thomas Weitz, gjatë fjalës së tij në seancën pleanare të së mërkurës, ka bërë thirrje Komisionit Evropian (KE) që t’i largojë “masat ndëshkuese” ndaj Kosovës, të cilat ishin vendosur në qershor të këtij viti për shkak të përshkallëzimit të situatës në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Eurodeputeti gjerman ndër të tjera ka thënë se vendimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për t’i instaluar kryetarët e rinj shqiptarë të katër komunave veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – në ndërtesat komunale atje “nuk ishte i mençur”, porse ka shtuar se Serbia ka një pjesë e përgjegjësisë për trazirat që kanë ndodhur në fund të majit.

Komisioneri i Bashkimit Evropian (BE) për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varheliy, ka raportuar të mërkurën para anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme të PE-së mbi të ardhmen e politikës së zgjerimit të BE-së dhe planin e rritjes prej 6 miliardë eurosh të KE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kujtojmë se eurodeputetët kanë miratuar një rezolutë për zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi. Në mesin e grupeve të ndryshme politike ekziston një konsensus se “masat ndëshkuese” të vendosura ndaj Kosovës duhet të hiqen. Komisionit dhe Këshillit të BE-së iu është kërkuar t’i rinovojnë kontaktet e tyre të nivelit të lartë me autoritetet kosovare.

(Kosova Sot Online)