Vetura tenton t’i godasë policët në Leposaviq

  • A.P /
  • 08 November 2023 - 22:34
Vetura tenton t’i godasë policët në Leposaviq

Raportohet se një veturë ka tentuar të godasë zyrtarët policorë mëngjesin e sotëm në Leposaviq. Me këtë rast policia ka përdorur armët në drejtim të veturës. Personat e dyshuar janë në kërkim nga policia, ata dyshohen për kontrabandë me migrantë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Zyrtarët policorë nuk kanë pësuar lëndime nga ky incident, ndërsa 10 emigrantë janë dërguar në stacionin e policisë për hetime të mëtejshme.

Kjo u konfirmua  edhe nga Veton Elshani, zëvendësdrejtor i policisë për rajonin e veriut.

“Po, rasti ka ndodhur sot, janë dyshuar për kontrabandë me migrantë, zyrtarët policorë nuk janë lënduar”, ka thënë Elshani.

“Personat të cilët kanë tentuar të godasin me veturë zyrtarët policorë janë në kërkim nga Policia e Kosovës, nuk janë arrestuar, ndërsa 10 emigrantë janë dërguar në stacionin e Policisë për hetime të mëtutjeshme”, përfundoi ai.

(Kosova Sot Online)