Arrestohet edukatorja e cila ia theu këmbën 3-vjeçares në kopsht

  • A.P /
  • 09 November 2023 - 19:03
Arrestohet edukatorja e cila ia theu këmbën 3-vjeçares në kopsht

Majlinda Dehima është arrestuar nga policia pas dhunës që ushtroi mbi 3-vjeçaren në kopshtin “Stinët”, në Tiranë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Si pasojë e dhunës fëmija pësoi frakturë në pjesën e këmbës. Pamjet e sigurisë dhe raporti mjekoligjor hodhën dritë mbi ngjarjen , duke vërtetuar edhe dhunën e ushtruar nga edukatorja.

Njoftimi:

Më herët Prokuroria Tiranë kërkoi ‘Arrest në burg’ për shtetasen Mjalinda Dehima për Veprën Penale ‘Keqtrajtim i të miturit’

Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kërkoi caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, për personin nën hetim M. D., për veprën penale “Keqtrajtim i të miturit”, të parashikuar nga neni 124/b/1 i K.Penal.

Kjo masë u kërkua menjëherë pas marrjes në dorëzim ditën e sotme, më dt. 09.11.2023, të procesverbalit për kqyrjen e pamjeve filmike (usb), i cili është mbajtur më dt. 08.11.2023. Me shkresën nr. 9538/1 prot., dt. 08.11.2023, protokolluar në Prokurori me nr. 10983 prot., dt. 09.11.2023, Instituti i Mjekësisë Ligjore, ka përcjellë aktin e ekspertimit mjeko-ligjor.

Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, po kryen veprimet e tjera procedurale për dokumentimin e faktit, në kuadër të procedimit penal nr. 7527, i regjistruar pas kallëzimit mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, Komisariati i Policisë nr.1, për Veprën Penale “Keqtrajtimi i të miturit”, parashikuar nga neni 124/b i Kodit Penal.


(Kosova Sot Online)