Për viktimat në Izrael në Prishtinë ndizen qirinj

  • A.P /
  • 09 November 2023 - 19:50
Për viktimat në Izrael në Prishtinë ndizen qirinj

Për 1.400 personat e vrarë në Izrael, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u ndezën qirinj, dhe u bë thirrje për lirimin e 239 pengjeve të marrë nga Hamasi në Rripin e Gazës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në ngjarjen që u organizua nga Oda Ekonomike Kosovë-Izrael, ambasadorja izraelite në Kosovë, Tamar Ziv, tha se pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe Holokaustit, bota tha “kurrë më nuk do të ketë masakër të hebrenjve”. Por, sipas saj, më 7 tetor, kur militantët palestinezë të Hamasit sulmuan Izraelin, ata “masakruan në mënyrë brutale” 1.400 persona, përfshirë edhe shtetas të huaj.

“Ngjarjet e 7 tetorit përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, tha ajo përmes video-lidhjes, duke sqaruar se për shkak të luftës e kishte të pamundur të merrte pjesë fizikisht në këtë ngjarje.

Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të ambasadave në Kosovë dhe ambasadorë të akredituar, përfshirë ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier.

(Kosova Sot Online)