Giaufret: Brukseli do të bashkëpunojë me çdo qeveri në Serbi që synon BE-në

  • E.K /
  • 10 November 2023 - 14:21
Giaufret: Brukseli do të bashkëpunojë me çdo qeveri në Serbi që synon BE-në

Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Emanuele Giaufret, ka thënë se Brukseli do të bashkëpunojë me çdo qeveri në Serbi që anëtarësimin në BE e ka si synim strategjik.

“Kemi arritur të miratojmë disa reforma dhe sigurisht duhet të punojmë më intensivisht. Është çështje vendosmërie dhe se ka kohë për reforma, ka vetëm një vit e gjysmë që nga zgjedhjet e fundit, duhet të fuqizojmë edhe qeverinë. dhe kuvendi të punojë më mirë”, tha ai në një paraqitje të ftuar në televizionin N1.

Ai theksoi se shpreson që fushata zgjedhore dhe zgjedhjet të jenë të drejta dhe se “ato do të zhvillohen me respekt të plotë dhe debat për tema specifike, e jo sulme ndaj personaliteteve individuale”.

Ai gjithashtu shtoi se shpreson që kuvendi i sapozgjedhur “do të funksionojë në mënyrë më të rregullt”.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe lokale do të mbahen më 17 dhjetor në Serbi. Këto janë zgjedhjet e katërta të jashtëzakonshme parlamentare që nga ardhja në pushtet e Partisë Progresive Serbe në vitin 2012.

Giaufret tha se është ende problematike që Serbia nuk e ka përafruar politikën e saj të jashtme me politikën e BE-së.

“Vitin e kaluar kemi pasur një kthim prapa, dhe këtë vit nuk ka pasur përparim të rëndësishëm. Serbia mbeti në pozitën që ishte vitin e kaluar dhe ky nuk është një lajm i mirë. Ne duam ta shohim Serbinë si një partner të përkushtuar të BE-së dhe kjo është arsyeja pse ne insistojmë në harmonizim, kjo nuk është asgjë e re, por agresioni rus kundër Ukrainës e ka bërë politikën e jashtme edhe më të rëndësishme në vendet anëtare”, tha ai

Serbia është një nga vendet e pakta në Evropë që nuk ka vendosur asnjë masë kufizuese kundër Kremlinit që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës.

Kjo është arsyeja pse Serbia e ka ulur në mënyrë drastike shkallën e përafrimit me politikën e jashtme të BE-së.

Serbia është një vend kandidat për anëtarësim të plotë në BE. Këto vende pritet që në mënyrë progresive të harmonizojnë politikat e tyre të jashtme me ato të BE-së.

Për shkak të marrëdhënieve me Rusinë, Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull në procesin e negociatave të anëtarësimit që nga viti 2021, sepse disa vende anëtare të BE-së besojnë se vendi nuk mund të përparojë në proces derisa të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

(Kosova Sot Online)