Policia e Kosovës del me detaje për aksidentin ku vdiq 14-vjeçari kosovar

  • A.P /
  • 10 November 2023 - 15:22
Policia e Kosovës del me detaje për aksidentin ku vdiq 14-vjeçari kosovar

Lidhur me aksidentin ku ka vdekur futbollisti 14-vjeçar, Drinor Berisha, policia e Kosovës ka dhënë detaje, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas Policisë ai ka qenë duke drejtuar një motoçikletë, kur është goditur nga një veturë. Bashkë me të në motoçikletë thuhet se ka qenë edhe një vajzë.

Rasti ka ndodhur të enjten pas mesditës.

“Fsh, Joviq-Malishevë 09.11.2023-14:10. Raportohet për një aksident trafiku në mes një veture dhe motoçiklete me ngasës një mashkull dhe një femër kosovare. Përveç dëmeve materiale lëndime vdekjeprurëse ka pësuar drejtuesi i motoçikletës viktima mashkull kosovar, trupi i të cilit me vendim të prokurorit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin e Policisë.

Berisha ishte futbollist i shkollës së futbollit të Malishevës.

Federata e Futbollit e Kosovës, ka shprehur ngushëllime për vdekjen Berishës.

“E nderuara familje Berisha. Të nderuar drejtues dhe staf i FC Malisheva. Me pikëllim të madh e morëm lajmin për vdekjen tragjike të më të dashurit tuaj, futbollistit të gurpmoshave të reja të FC Malisheva, Drinor Berisha. Fjalët nuk mjaftojnë për të shprehur dhimbjen tonë për humbjen e një djaloshi të ri dhe të talentuar sikur Drinori. Ikja e tij e hershme nga kjo botë preku zemrat e gjithsecilit në komunitetin e futbollit dhe ndali në lule të rinisë ëndrrat e tij. Drinori ishte një djalë i talentuar që ndriçoi rrugën e futbollit me pasionin dhe aftësitë e tij. Në këto momente jemi pranë familjes Berisha, me shpresë që kujtimet e bukura dhe sukseset e Drinorit do të jenë burim ngushëllimi dhe force për ta përballuar këtë dhimbje të madhe”, ka shkruar FFK-ja të enjten.


(Kosova Sot Online)