Osmani në varrimin e Ahtisaarit: Përkushtimi i tij la gjurmë

  • A.P /
  • 10 November 2023 - 15:52
Osmani në varrimin e Ahtisaarit: Përkushtimi i tij la gjurmë

Presidentja Vjosa Osmani së bashku me ish-presidentin Fatmir Sejdiu, morën pjesë sot në varrimin e ish-Presidentit të Finlandës, Martti Ahstisaari, me ftesë të Qeverisë finlandeze, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”

Presidenca njofton se në funeralin shtetëror të mbajtur në Helsinki ishin prezent më shumë se 800 të ftuar, krerë e përfaqësues të shteteve, si dhe bashkëpunëtorë nga etapa të ndryshme të karrierës së ish-Presidentit Ahtisaari.

Duke nderuar kujtimin për ish-Presidentin Ahtisaari, Presidentja Osmani tha se: “Sot i dhamë lamtumirën e fundit burrështetasit dhe paqebërësit Martti Ahtisaari. Përkushtimi i palodhshëm i Presidentit Martti Ahtisaari ndaj diplomacisë, zgjidhjes së konflikteve dhe të drejtave të njeriut ka lënë gjurmë të pashlyeshme në botën tonë”.

Tutje, ajo ka shprehur mirënjohjen e thellë për kontributin e tij për pavarësinë e Kosovës si dhe për shërbimin e tij shembullor.

Mysafirët në varrimin e Presidentit Ahtisaari janë ftuar nga Qeveria finlandeze në përputhje me dëshirat e familjes së Presidentit Ahtisaari.

Kontributi i Presidentit Ahtisaari për paqe dhe zgjidhje të konflikteve në vende të ndryshme të botës u vlerësua edhe në vitin 2008 kur atij iu dha Çmimi Nobel për Paqe.

(Kosova Sot Online)