Hovenier: Draft-statuti i BE-së përmbush pritjet e ShBA-së dhe nuk është krahinë autonome brenda Kosovës

  • A.P /
  • 10 November 2023 - 19:50
Hovenier: Draft-statuti i BE-së përmbush pritjet e ShBA-së dhe nuk është krahinë autonome brenda Kosovës

Se ka një urgjencë të madhe në Bashkimin Evropian që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, e ka theksuar sërish ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Hovenier theksoi se draft-statuti i BE-së përmbush pritjet e ShBA-së, se nuk është krahinë autonome brenda Kosovës dhe se është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Duhet të jetë në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Kjo nuk është krahinë autonome brenda Kosovës. Ekziston një urgjencë, ka kërkesë që gjërat të lëvizin shpejt. Nuk ka të bëjë vetëm me Asociacionin, ka të bëjë me zbatimin e plotë të të gjitha obligimeve që i kanë Kosova dhe Serbia në Marrëveshjen Bazë dhe aneksin e Ohrit. Jemi duke punuar me qeverinë e Kosovës që gjërat të ecin para”, ka thënë Hovenier, në një intervistë për Atlantic Council.

Ndryshe, dje Hovenier në një deklaratë para mediave ka thënë se draft-statuti që i është propozuar Kosovës për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përmbush të gjitha kriteret që i parashohin Shtetet e Bashkuara për të.

Hovenier ka thënë para mediave se, megjithatë, fjalën e fundit për këtë draft duhet ta japë Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe një prej dispozitave të draftit është se ai do të analizohet nga kjo gjykatë.

(Kosova Sot Online)