Lumir Abdixhiku kandidati i vetëm për kryetar të LDK-së

  • A.P /
  • 13 November 2023 - 17:24
Lumir Abdixhiku kandidati i vetëm për kryetar të LDK-së

Më 19 nëntor Lidhja Demokratike e Kosovës do e mbajë Kuvendin e dhjetë zgjedhor, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Përmes këtij kuvendi zgjedhor do të zgjidhet apo rizgjidhet kryetari i këtij subjekti politik dhe kryesia e re.

Lumir Abdixhiku është kandidati i vetëm për kryetar dhe se deri më tash nuk është paraqitur ndonjë kundër kandidaturë tjetër për këtë post.

Kandidatura e Lumir Abdixhikut, si i vetëm në garë, është edhe konsensus i brendshëm politike brenda kësaj partie – kështu bëjnë të ditur burimet e gazetës brenda LDK’së.

Me 19 nëntor Lumir Abdixhiku, para delegatëve pritet të shpalos edhe programin politikë “Rruga e Re”, platformë politike e tij, e prezantuar vetëm disa pjesë, deri më tani.

Pos, postit të kryetarit, Abdixhiku ka në duar të e zgjedh edhe kryesinë e re të partisë. 

Hykmete Bajrami, Doarsa Kica-Xhelili e Sibel Halimi, janë tre gratë që po diskutohen për të marrë pozitë të nënkryetares në LDK – merret vesh.

Lumir Abdixhiku ishte zgjedhur kryetar i LDK’së me 14 mars 2021, pas dorëheqjes të Isa Mustafës, si pasojë e rezultatit të dobët në zgjedhjet parlamentare të atij viti. Në zgjedhjet parlamentare të shkurtit të vitit 2021, LDK-ja kishte fituar vetëm mbi 12 për qind të votave.

Në vitin 2021, për postin e të parit të LDK’së, Abdixhikun e kishin sfiduar edhe Lutfi Haziri, Besian Mustafa e Anton Quni. Ky i fundit ishte tërhequr nga gara krejt në fund.


(Kosova Sot Online)