E zbulon Berisha: Familjarët e Edi Ramës bëjnë kërdinë nëpër tendera

  • A.P /
  • 13 November 2023 - 19:40
E zbulon Berisha: Familjarët e Edi Ramës bëjnë kërdinë nëpër tendera

Kryedemokrati Sali Berisha e ka quajtur një betejë të shenjtë aksionin e deputetëve demokratë në parlament, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në takimin me demokratët e Kavajës, Berisha theksoi se familjarët e Edi Ramës po bëjnë kërdinë nëpër tendera.

Berisha: Ju i keni ndjekur, por me dy fjalë po u shpjegoj se çfarë po ndodh në parlament.

Ju garantoj se në këtë diktaturë, të cilën Samuel Hantigton, një nga studiuesit gjenialë të sistemeve politike, thotë se diktatura e bandave, mobokracia, është më e keqe shumë se diktatura komuniste, se diktatura naziste, se diktatura teokraciste, është forma më e egër e diktaturës.

Çfarë ndodh sot? Pasi në moton e vjetër, të dikurshme se populli voton, votat ia numëron partia, tani populli voton, votat ia numëron krimin.

Megjithatë, Kavaja fitoi. Megjithatë, disa bashki të tjera fituan. Megjithatë 600 mijë shqiptarë votuan kundër Edi Ramës.

U ngritën mbi terrorin, u ngritën mbi aktet antikushtetuese, zarfat e shpërndarë për 683 mijë pensionistë në mes të fushatës elektorale, marshimin për rritjen e rrogave 900 euro. U ngritën mbi këto dhe votuan opozitën.

Opozitën që ai e urren për vdekje.

Të dashur kavajas, unë jam këtu absolutisht në takimin më të rëndësishëm të jetës time të pas vitit 1991 me ju. Sepse, ky pinjoll apo ky bastard i xhelatëve që përmbysëm në vitin 1990, është vërsulur me urrejtjen e tyre kundër opozitës.

Pasi korruptoi në mënyrën më të ulët ish-kreun e saj, i mori vulën, i hoqi emrin partisë suaj nga lista, i hoqi emrin PD-së nga lista, i hoqi emrin Sali Berishës si kryetar koalicioni, e megjithatë 600 mijë shqiptarë nuk u përkulën.

Po tani ç’ndodh? Tani, me bashkimin e grupit parlamentar, ai mori goditjen më të paparashikuar dhe më të rëndë. Hodhi në aksion veprimet e tij më antikushtetuese. Veprimet e tij më antiopozitare.

Shumëzoi me zero votën tuaj, shumëzoi me zero deputetët në parlament.

Ajo që shihni në parlament është një betejë e shenjtë. Pse? A e dini se çfarë ka bërë ai kundër nesh? A e dini ju se ne si opozitarë, nuk na lë të zgjedhim përfaqësuesin tonë, por thotë se do keni Enkelejdin e tij.

A mund të imagjinoni një opozitë në parlament, që në komisione nuk ka përfaqësuesin që zgjedh, por atë që do Edi Rama.

A ka poshtërim më të madh për një opozitë se sa kjo?

Në parlament, sigurisht që blloqet janë të kundërta. Por Kushtetuta ka rregulluar të drejtat e secilit deputet dhe secilit bllok.

Kushtetuta i njeh deputetit të drejtën e hartimit të ligjit, për ju dhe në emër të interesave tuaja. I njeh të drejtën që ai ligj, të kalojë në komisione, që ai ligj të votohet në komisione, që ai ligj të vijë në parlament dhe të votohet në parlament.

Çfarë ndodhi me ne? 32 ligje, amendamente, që të gjitha mbaheshin në mënyrën më të pafytyrë në sirtarin e kryetares së parlamentit, me urdhër të Edi Ramës.

Pse ajo që shihni ju është një betejë epike për nderin dhe dinjitetin tuaj?

Ka një nen Kushtetuta, ky është neni 77. Ky nen thotë se kur një e katërta e deputetëve firmosin, parlamenti me detyrim ngre komisionin hetimor parlamentar. Për të hetuar problemet që ai i gjykon të rëndësishme për ju. Deputeti nuk ka asgjë aty për veten e tij.

Çfarë ka ndodhur këto dy vite? Edi Rama ka bllokuar dhe nuk na lejon ngritjen e asnjë komisioni hetimor parlamentar. Kemi dërguar 8 kërkesa, secila me mbi 35 firma, për të hetuar në emër tuaj, asnjë prej tyre nuk vjen në parlament, sepse Shqipëria nuk është më një vend me pluralizëm, sepse Shqipëria është vend i një njeriu që vendos këtu për çdo gjë.

Po pse nuk lejon ai? Sepse çfarë është njëri komision? Njëri komision është hetim për zbatimin e ligjit të konfliktit të interesit. Mekanizmi më kryesor i vjedhjes së taksave tuaja, i vjedhjes së pasurive tuaja, qëndron në shkeljen e këtij ligji.

Ky ligj ndalon familjarët e pushtetarëve, ndalon vetë pushtetarët, të mos afrohen dhe të mos aplikojnë për tendera, prokurime, koncesione të sektorit publik, gjersa familjari i tyre është kryeministër, ministër apo diçka tjetër. Se vetëkuptohet se këtu përdoret pushteti pastaj. Dhe për të tjerët nuk mbetet...

Çfarë ndodh? Ka dy vjet dhe më shumë, familjarët e Edi Ramës bëjnë kërdinë nëpër tendera. Një lukuni e tërbuar. Baxhanaku i tij fiton qindra tendera. I vëllai i tij, me tërbim, me kompani me Amant Josifin, vjedhin miliarda në Europë.

Vajza e familjes, fiton çdo javë, çdo muaj, çdo dy muaj, tendera. Vajzë e mbarë, ka një nen Kushtetuta, e cila thotë- dhe Rama e di, dhe Linda ti e di- se familjarët e deputetit dhe kryeministrit nuk mund të kenë asnjë të ardhur nga sektori publik, qendror apo lokal, përveçse rrogave të tyre.

E ka përcaktuar Kushtetuta. Kushtetuta thotë se nëse ndodh, familjari humbet mandatin. Tani imagjinoni ku jemi ne? Na thotë merruni me filanin, me fistëkun, po jo me mua se jam mbi ligjin, mbi Kushtetutën.

Po këtë nuk mund ta pranojmë ne, se në momentin që e pranojmë këtë, ju kemi tradhtuar ju, tradhtojmë besimin tuaj, idealet tuaja.

Ne nuk do e bëjmë kurrë dhe prandaj jemi ngritur në parlament dhe luftojmë dhe do luftojmë gjer në fund për të drejtat tona.

Kjo është e vërteta për parlamentin.

(Kosova Sot Online)