Rama: Koha kur shkoje në Europë dhe mund të kurseje mjaftueshëm ka mbaruar

  • E.K /
  • 14 November 2023 - 08:24
Rama: Koha kur shkoje në Europë dhe mund të kurseje mjaftueshëm ka mbaruar

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, iu bëri thirrje të rinjve që të mos braktisin vendin, pasi koha kur mund të kurseje në Europë ka përfunduar, nuk është më, përcjell “Kosova Sot Online”.

Rama ka thënë se “Çfarë vlere ka të qëndrosh e të punosh për të tjerët atje dhe në fund nuk të ngelet asgjë”.

“Sot të investosh në agroturizëm në Ersekë apo në Maliq, apo në Devoll apo në Pustec, është sukses i sigurt. Në vend se të mbash kazmën apo mistrinë, apo barrën e të punuarit për dikë tjetër në Greqi, Itali, Angli, ku të doni dhe pastaj, në fund të muajit të mos ngelet asnjë gjë. Të investosh kursimet në cilindo fshat, është e sigurt që në fund të muajit të lë diçka. Këtë e thonë faktet e të gjithë atyre që e kanë bërë këtë. Është një kullë në fund të botës, në zonën e Bulqizës, nëse e shihni historinë e transformimit të saj, e të shihni sesi ata jetojnë me atë punë dhe nxjerrin fitim dhe kanë gjithnjë e më shumë njerëz që shkojnë tek ata, për të ilustruar këtë që unë po them. Do ta përsëris sa herë që mundem, koha kur shkoje në Europë dhe mund të kurseje mjaftueshëm ka mbaruar, nuk është më. Krahasimet rrogë me rrogë nuk vlejnë. Vlen çfarë mbetet në fund dhe sidomos për ata që janë në moshë më të re. Cfarë vlere ka të qëndrosh e të punosh për të tjerët atje dhe në fund nuk të ngelet asgjë”, tha Rama.

(Kosova Sot Online)