Limaj: Albin Kurti e bëri bërllok pasi pranoi ta themelojë Asociacionin

  • A.P /
  • 14 November 2023 - 18:21
Limaj: Albin Kurti e bëri bërllok pasi pranoi ta themelojë Asociacionin

Ish deputeti Fatmir Limaj, e ka quajtur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti mashtrues që po fshihet pas Gjykatës Kushtetuese pasi pranoi ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Limaj tha se Kurti “ka bërë shkelje të Kushtetutës” duke arritur një “marrëveshje të dëmshme për vendin”.

“Çka po thonë këta që i kanë marrë 51%? Po duan që këtë punë t’ua lënë 9 vetave në Gjykatën Kushtetuese. Me u fshehë, me thënë ‘këqyre, ne e kemi bë një bërllok, marrëveshje katastrofale për vendin tonë, ju tash duhet ta akomodoni, t’ia gjeni vendin në Kushtetuë’. Gjykata Kushtetuese as nuk krijon e as nuk shuan institucione”, tha Limaj.

“Në 2015 Gjykata Kushtetuese nuk ka thënë s’duhet bërë Asociacioni… Marrëveshjet politike i krijojnë ato punë”, tha ndër tjerash ish-zëvendëskryeministri.

Limaj tha se “do të krijohet një autonomi politike brenda sistemit kushtetues të Republikës së Kosovës”.

“Kosova ka pranuar formimin e Asociacionit me kompetenca të shtuara… S’ka këtu 2013, 2015, ka marrëveshje Kurti-Vuçiq nga e cila derivon draft-statuti dhe pastaj Asociacioni”, tha ai.

Limaj tha se “tanimë edhe për ata besimtarë fanatikë të z. Kurti e kanë të qartë që kryeministri i Republikës së Kosovës e ka pranuar një marrëveshje, ka pranuar asociacion dhe tani pritet implementimi”.

(Kosova Sot Online)