Përfundimisht s’ka marrëveshje në takimin e Kurtit me përfaqësues të Njësive Speciale të Policisë

  • A.P /
  • 15 November 2023 - 20:00
Përfundimisht s’ka marrëveshje në takimin e Kurtit me përfaqësues të Njësive Speciale të Policisë

Ka përfunduar pa marrëveshje, takimi prej më shumë se tri orësh mes kryeministrit Albin Kurti dhe Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Raportohet se në takimin që rezultoi pa marrëveshje nuk pati as premtime për plotësimin e kërkesave të policisë nga ana e kryeministrit.

Sipas të njëjtave burime, në takim ka pasur edhe momente kur është ngritur toni i zërit mes pjesëmarrëse. Bëhet me dije se kryeministri ka qëndruar në pozicionin e tij dhe policët në kërkesat e tyre.

Pakënaqësitë lidhur me shtesat e rrezikshmërisë i kanë nxjerrë në rrugë, para dy javësh, pjesëtarët e Njësive më Elitare të Policisë së Kosovës, Njësisë Speciale Intervenuese (NJSI) dhe Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive (NJTME).

Ata protestuan para objektit të Qeverisë së Kosovës me tri kërkesa kryesore: kategorizimin si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve, rrezikshmëria të përcaktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe që të ketë shtesa për kushte specifike të punës.

Një tjetër protestë u paralajmërua nga ta për të marten e javës që shkoi (07.11.2023), por po atë ditë Policia njoftoi se protesta është pezulluar përkohësisht. Ky vendim erdhi pasi kryeministri Albin Kurti u premtoi atyre takim zyrtar për t’i diskutuar kërkesat e tyre dhe për të gjetur një zgjidhje.

(Kosova Sot Online)