Serbi Zoran Vukotiqi sërish para gjykatës lidhur me akuzat për krime lufte, seanca mbyllet për publikun

  • S.A /
  • 17 November 2023 - 12:00
Serbi Zoran Vukotiqi sërish para gjykatës lidhur me akuzat për krime lufte, seanca mbyllet për publikun

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka filluar një tjetër proces gjyqësor ndaj të akuzuarit Zoran Vukotiq, i cili nga Prokuroria Speciale akuzohet për krime lufte. Por, gjykimi u mbyll për publikun, transmeton Kosova Sot Online ".

Gjykatësja e rastit, Violeta Namani, tha se shkak i mbylljes së seancës është mbrojtja e jetës dhe të dhënave personale të së dëmtuarës në këtë rast.

Paraprakisht, propozimin për mbyllje të këtij gjykimi për publikun e bëri prokurorja speciale Drita Hajdari, pasi sipas saj në rast se gjykimi mbahet i hapur për publikun, krijohen pasoja të pariparueshme për të dëmtuarën.

“.. rasti është mjaft sensitiv, ju e dini që në këtë lëndë ekziston edhe masa mbrojtëse me të cilën është ndaluar gjykimi publik, respektivisht është urdhëruar gjykimi jopublik. Arsyeja për këtë është mbrojtja e integritet të viktimës së dhunimit dhe me zbulimin e identitet të saj ishin shkaktuar pasoja të pariparueshme për personalitet dhe jetën e saj, kështu që kërkoj që ky gjykim të mbahet pa prezencën e publikut”, tha prokurorja Hajdari.

Ky propozim nuk u kundërshtua nga mbrojtësi i Vukotiq, avokati Lujubomir Pantoviq. Kurse, vetë Vukotiqi tha se për të është njëjtë, pasi në fund të procesit sërish dihet verdikti i gjykatës, duke u bërë publik i njëjti.

Në fillim të seancës, gjykatësja Namani ka bërë të ditur se aktakuza ndaj Vukotiqit është ngritur më 4 tetor 2023, i cili ngarkohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” dhe aktualisht i emëruar si krim kundër njerëzimit.

Lidhur me gjykimin tjetër ndaj Vukotiqit, Gjykata Supreme e ka vërtetuar aktgjykimi e Gjykatës së Apelit, me të cilin ishte dënuar me 13 vjet burgim lidhur me akuzat për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë. /BetimipërDrejtësi

(Kosova Sot Online )