Pasi Beogradi do zgjedhje serbe në Kosovë, vjen reagimi nga Qeveria

  • A.P /
  • 17 November 2023 - 20:00
Pasi Beogradi do zgjedhje serbe në Kosovë, vjen reagimi nga Qeveria

Qeveria e Kosovës ka thënë se është në dijeni të një kërkese për mbajtje të zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës, dhe përgjigja e saj do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se në hartim e sipër të përgjigjes, do të analizohen edhe marrëveshjet e Brukselit, të arritura mes Kosovës e Serbisë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Përmbajtja dhe detajet e kërkesës do të analizohen dhe përgjigjja jonë do të jetë gjithmonë në dritën e ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës, respektimit të sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës sipas nenin 2 të Marrëveshjes Bazike të Brukselit 27 shkurtit, dhe praktikave evropiane të bashkëpunimit ndërshtetërore për votim jashtë vendit për qytetarët me shtetësi të dyfishtë”.

Zyrtarë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) i kanë thënë Radios Evropa e Lirë ditë më parë, se më 3 nëntor, misioni në Kosovë e ka pranuar kërkesën prej Qeverisë së Serbisë që të përfshihet në mbledhjen e votave të banorëve të Kosovës me dy shtetësi, për zgjedhjet në Serbi.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i ka shpallur zgjedhjet e përgjithshme për 17 dhjetor të këtij viti.

Në përgjigje është thënë se OSBE-ja e ka informuar Qeverinë e Kosovës dhe mekanizmat tjerë relevantë për këtë kërkesë, dhe se mbështetja e institucioneve të Kosovës është thelbësore për OSBE-në që të përfshihet në një organizim të tillë zgjedhor.

“Misioni e ka informuar Qeverinë e Kosovës për këtë kërkesë dhe në parim është gati për t’i mbledhur votat sipas kushteve të njëjta, bazuar në praktikat e së kaluarës. Këto kushte përfshijnë miratimin prej dy palëve dhe ofrimin e sigurisë përfshirë prej Policisë së Kosovës”, është thënë mes tjerash në përgjigje, sipas rel.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.


(Kosova Sot Online)