Parandalohet futja e mbi 35 mijë eurove të padeklaruara në Vërmicë

  • E.K /
  • 18 November 2023 - 16:56
Parandalohet futja e mbi 35 mijë eurove të padeklaruara në Vërmicë

Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar futjen ilegale të mbi 35 mijë eurove nga pikë-kalimi kufitar në Vërmicë, përcjell “Kosova Sot Online”.

Sipas njoftimit, gjatë pyetjes zyrtare drejtuesi i automjetit ka mohuar se posedon ndonjë gjë për deklarim.Pas kësaj, mjeti është përzgjedhur për një kontroll të detajuar në vijën e dytë të procedurës së kontrollit.

“Si rezultati i kontrollit janë gjetur mjete monetare të padeklaruara në vlerë prej 35,200.00 Euro”, thuhet në komunikatën për media”.

Tutje thuhet se paratë ishin të fshehura në pjesën e brendshme të xhaketës, të ndara në pesë pjesë.

“Për të theksuar, pala për mjete monetare nuk ka paraqitur asnjë dokumentacion lidhur me prejardhjen e tyre. Në përputhje me ligjin, është konfiskuar një shumë prej 8,800.00 Euro, që përfaqëson 25% të vlerës totale të mjeteve monetare. Pjesa tjetër e mjeteve monetare është ndaluar deri në përmbylljen e procedurave të mëtejshme”, bëhet e ditur në njoftim.

(Kosova Sot Online)