Dikur muze për Enver Hoxhën sot piramida në Tiranë qendër e teknologjisë

  • A.P /
  • 19 November 2023 - 11:56
Dikur muze për Enver Hoxhën sot piramida në Tiranë qendër e teknologjisë

Dikur muze dedikuar diktatorit shqiptar, Enver Hoxhës, Piramida në Tiranë tani është kthyer në qendër të teknologjisë dhe në një atraksion të rëndësishëm turistik në Shqipëri, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Piramida është bërë pjesë e shëtitjes së mbrëmjes të qytetarëve të Tiranës, e ambicieve të të rinjve për t’u bërë pjesë e qendrës së teknologjisë aty, si dhe cak i turistëve të huaj që duan ta shohin nga afër se si është shndërruar simboli i së shkuarës.

“Shtëpia e diktaturës, tani shtëpi lirie”

Ilda Qazimllari, drejtore e Investimeve në bashkinë e Tiranës, thotë se shndërrimi i Piramidës tregon se si mund të ruhet historia e një objekti, duke iu përshtatur nevojave të një epoke të re. Sipas saj, nga “shtëpi e shtypjes dhe diktaturës”, Piramida po kthehet në “shtëpi lirie”.

“Nëse ëndrrat e së ardhmes janë kodimi, robotika, mekatronika, dizajni, softueri, atëherë duhet të përgatitemi sot. Qendra TUMO do ta kryejë më së miri funksionin dhe qëllimin e saj në ambientet e reja të Piramidës”, thotë Qazimllari për Radion Evropa e Lirë.

Qendra e Inovacionit “Tumo Tirana” ishte hapur në vitin 2020 nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. Por, ajo u zhvendos në hapësirat e Piramidës në maj të këtij viti, pas rinovimit të Piramidës.


(Kosova Sot Online)