Ankohet Krasniqi: E vështirë të kuptohet pse Bosnja meriton statusin e vendit kandidat në BE e Kosova jo

  • S.A /
  • 20 November 2023 - 11:59
Ankohet Krasniqi: E vështirë të kuptohet pse Bosnja meriton statusin e vendit kandidat në BE e Kosova jo

Kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian, Rrezarta Krasniqi, në takimin e sotëm tha se është shumë e vështirë të kuptohet përse Bosnja meriton statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, por jo edhe Kosova, transmeton "Kosova Sot Online ".

“Sidoqoftë, njëkohësisht duhet të jemi të vetëdijshëm se vendi ynë ngelet vend i fundit në procesin integrues të dhjetë vendeve që aspirojnë anëtarësimin në BE. Këtë muaj Komisioni Evropian propozoj nisjen e negociatave me Ukrainën, Moldavinë dhe Bosnjën. Po ashtu Komisioni rekomandoi dhënien e statusit të vendit kandidat Gjeorgjisë. Kësisoj distanca në mes Kosovës dhe nëntë vendeve të tjera vetëm po thellohet”.

“Përderisa ne patjetër gëzohemi rekomandimit për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnjën, për qytetarët e Kosovës është shumë e vështirë të kuptojnë se perse Bosnja meriton statusin e vendit kandidat apo edhe të hap negociatat e anëtarësimit, por jo vendi ynë. Sipas vet vlerësimit të Komisionit Evropian, Kosova është më e përgatitur për të marr përsipër obligimet që burojnë nga anëtarësimi në BE se Bosnja. Në këtë drejtim raporti vjetor i Komisioni Evropian na ka ofruar udhërrëfyesin e qartë se ku duhet të dyfishojmë përpjekjet për avancimin e reformave Evropiane”, u shpreh Krasniqi, teksa citoi disa të gjetura nga ky Raport.

Krasniqi tha se në reformën e administratës publike raporti nënvizon se ‘nuk është shënuar asnjë progres dhe se rekomandimet e vitit të kaluar nuk janë përmbushur në mënyrë të kënaqshme’.

“Në fushën e sundimit të ligjit është bërë ‘progres i kufizuar’, ndërsa në fushën e luftës kundër korrupsionit raporti evidenton se ‘korrupsioni ngelet çështje brengosëse’. Po ashtu, në kuadër të 31 kapitujve të legjislacionit të BE-së këtë vit Kosova ka pasur rekord të kapitujve të cilët janë vlerësuar me ‘progres të kufizuar’”, u shpreh ajo.

(Kosova Sot Online )