Berisha: Përjashtimi i ‘Plisave’ me urdhër të Ramës akt anti-kombëtar

  • A.P /
  • 20 November 2023 - 19:34
Berisha: Përjashtimi i ‘Plisave’ me urdhër të Ramës akt anti-kombëtar

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar pasi FSHF-ja nuk ka pajisur me bileta tifogrupin ‘Plisat’, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas Berishës, Përjashtimi i ‘Plisave’ nga ndeshja me urdhër të Edi Ramës, një akt primitiv, anti-sport dhe anti-kombëtar.

‘Të dashur miq, në një akt hakmarrës primitiv Edi Rama urdhëron FSHF dhe Taulant Bego Jaris që ‘Plisat’ e famshëm të mos lejohen në Stadium për të ndjekur ndeshjen e sotme të kombëtares me ishujt Faroe. Ky dënim kolektiv për shkak të parullës që shpalosën në Stadium në ndeshjen me Çekinë kundër Pashiqit shqiptar përbën një akt të turpshëm racist antikombëtar një vetëposhtërim të atyre që zbatojnë urdhërin e Edi Ramës.

Nderim ‘Plisave’! Turp Edi Ramës dhe atyre që pengojnë ‘Plisat’ epik të jenë sonte në stadium!‘, shkruan në Facebook, kryetari i PD-së, Sali Berisha.

Për më gjatë lexoni artikullin e mëposhtëm:

‘Plisat’, tifogrupi nga Prishtina nuk do jenë prezent në ‘Air Albania’ për ndeshjen kundër Ishujve Faroe, këtë mbrëmje më 20:45 në Tiranë.

Mësohet se Federata Shqiptare e Futbollit nuk i ka akorduar biletat për grupin, kjo siç ndodh në çdo duel për ultrasit e kuqezinjve.

Mësohet se banderola e shpalosur nga ‘Plisat’ në ndeshjen kundër Çekisë ka sjellë ‘krisjen’ mes palëve. ‘Mallkue qoftë kush s'na do bashkë’, kjo duket se është fraza që ka bërë FSHF-në t'i përjashtojë ata.

Për këtë, tifogrupi ka reaguar për herë të parë duke lënë të kuptohet se për shkaqe të ndërhyrjeve politike ata janë përjashtuar. Gjithashtu ata tregojnë se nuk do e braktisin Kombëtaren.

‘Plisat edhe një herë lajm. Nuk ka bileta. Por, sot nuk kemi kohë për lajmet tuaja. Plisat e kanë përfunduar misionin e tyre, ME SUKSES. Kur të gjithë ia kthyen shpinën kombëtares, ne ishim aty! Këta të njëjtit, të pandalshmit, të pashantazhueshmit, të vetmit, ‘kriminelat’, ‘tradhëtarët’ ... ne do të jemi gjithmonë aty. Pavarësisht ndërhyrjeve të politikës, e të kujtdo, do të jemi përherë e më të fortë.

Nuk ka bileta - nuk ka problem. Le të shkojnë sonte të tjerët për festë. Në fund të fundit Kombëtarja është e të gjithëve. Ne do të kthehemi përsëri, edhe në festa - edhe në ditë të vështira. Plisat janë në festë. Prishtina sonte feston. Feston sepse ajo frymon KUQ E ZI. Sepse KU KA PLISA OSHT' SHQIPNI. Shihemi në Gjermani’, shkruajnë ‘Plisat’.

(Kosova Sot Online)