Kurti iu premton kushte më të mira komunitetit kroat në Kosovë

  • A.P /
  • 21 November 2023 - 16:37
Kurti iu premton kushte më të mira komunitetit kroat në Kosovë

Kryeministri Albin Kurt u takua ditën e sotme me përfaqësues nga komuniteti kroat në Kosovë, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Të pranishëm ishin dhe ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barisic, dhe përfaqësuesit kroatë në Këshillin Konsultativ të Komuniteteve pranë Presidencës, Josip Cirimotic dhe Silvana Palic.

Temë e diskutimit ishte bashkëpunimi i Qeverisë me komunitetin dhe njohja më thellësisht me nevojat e tyre.

“U fol për angazhimin e Qeverisë me komunitetin gjatë vitit e ku Kryeministri shprehu kënaqësinë e tij në marrjen pjesë në Meshë për Krishtlindje në Kishën e Janjevës, si dhe pjesëmarrjen e anëtarëve të kabinetit qeveritar në festimin e 720 vjetorit të Kishës në Janjevë më herët gjatë vitit”, ka njoftuar ZKM.

Gjithashtu, ZKM thotë “u trajtua dhe ndihma e dhënë për qytetarët tanë nga Janjeva, të përzgjedhur nga komisioni për grante nga Zyra për Çështje të Komuniteteve, dhe punën e Qeverisë për zbatimin e plotë të ligjit për përdorimin e gjuhëve, në mënyrë që komunitetet joshumicë të kenë qasje në komunikimet prej qeverisë”.

Përfaqësues të komunitetit kroat kanë falënderuar Kryeministrin për mundësinë për të bashkëbiseduar mbi sfidat e tyre dhe mundësinë për bashkëpunim.

Ata veçuan nevojën për mbështetje infrastrukturore në Janjevë.

“Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë për të punuar në sigurimin e kushteve sa më të mira për komunitetin kroat në Kosovë”.


(Kosova Sot Online)