Ky shtet ka regjistruar temperaturën më të lartë ndonjëherë

  • A.P /
  • 21 November 2023 - 17:29
Ky shtet ka regjistruar temperaturën më të lartë ndonjëherë

Brazili ka regjistruar temperaturën më të lartë ndonjëherë duke shënuar 44.8 gradë Celsius, ndërsa disa pjesë të vendit po përballen me një valë mbytëse të të nxehtit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Rekordi u shënua të dielën në qytetin Araçuaí, në shtetin juglindor të Brazilit Minas Gerais, thanë zyrtarët. Nxehtësia e paprecedentë i është atribuar fenomenit El Niño dhe ndryshimeve klimatike. Parashikuesit kanë thënë se një pjesë e nxehtësisë ka të ngjarë të lehtësohet këtë javë.

Zyrtarët nga Instituti Kombëtar i Meteorologjisë (Inmet) thanë se vetëm tre kryeqytete shtetërore do të shihnin temperatura që i afrohen 40 gradë Celsius, raporton BBC.

Vapa ka shkaktuar alarme të kuqe në të gjithë vendin. Konsumi i energjisë në Brazil është rritur në nivele rekord pasi njerëzit përpiqen të qëndrojnë freskët.


Sipas shkencëtarëve, valët e të nxehtit po bëhen më të gjata dhe më intensive në shumë vende dhe kjo pritet të vazhdojë ndërkohë që njerëzit vazhdojnë të lëshojnë gazra serë që ngrohin planetin.

(Kosova Sot Online)