Publikohen vendimet që u morën sot në mbledhjen e qeverisë

  • A.P /
  • 22 November 2023 - 15:52
Publikohen vendimet që u morën sot në mbledhjen e qeverisë

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, duke filluar në orën 10:00, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në mbledhje janë miratuar:

1. Miratuar Projektligjin për Gjendjen Civile. Ky ligj ka për qëllim të përcaktojë dhe rregullojë sistemin për regjistrimin dhe evidentimin e akteve dhe përbërësve të gjendjes civile. Me këtë projektligj do të avancohet sistemi i gjendjes civile, regjistrimi dhe konstatimi i fakteve juridike, si dhe lëshimi i dokumenteve.

2. Miratuar Projektligjin për Letërnjoftimin. Çështja kryesore e trajtuar në këtë Projektligj është plotësimi i zbrazëtirave juridike të Ligjit aktual në fuqi për Letërnjoftimin. Me të do të rregullohet procedura për lëshimin e letërnjoftimit, organi kompetent, por edhe kushtet për përdorimin e letërnjoftimit e detyrimet e shtetasve tanë në raport me ligjin.

3. Miratuar Projektligjin për Rininë. Ai përbënë reformën e parë të infrastrukturës ligjore në fushën e rinisë. Si i tillë ka për qëllim rregullimin e fushës së rinisë në nivel ndërinstitucional dhe ndër sektorial, duke e vendosur rininë në qendër të prioriteteve shtetërore, me synim avancimin e pjesëmarrjes gjithëpërfshirëse dhe të barabartë në procesin e vendimmarrjes si dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së të rinjve dhe të statusit të tyre shoqëror.

4. Miratuar Projektligjin për Regjistrin e Pronarëve Përfitues, i cili ka për qëllim publikimin e informacionit mbi përfituesit e fundit të një shoqërie tregtare, duke qenë kësisoj mjet i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit e shpëlarjes së parave. Mbi të gjitha, ai do të tregojë saktë se kush përfiton nga paraja publike e ndarë me prokurim publik, dhe kështu do të rritë transparencën e llogaridhënien ndaj qytetarit.

(Kosova Sot Online)