Kujt i përkisnin targat e veturës me të cilën ikën hajnat pas grabitjes së armatosur në Suharekë?

  • A.P /
  • 22 November 2023 - 21:40
Kujt i përkisnin targat e veturës me të cilën ikën hajnat pas grabitjes së armatosur në Suharekë?

Targat e veturës që përdorën sot grabitësit për të ikur pasi plaçkitën stoli ari në një argjendari në rrugën “Brigada 123” në Suharekë, ishin raportuar të vjedhura në polici, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Këtë informacion e ka konfirmuar  zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili tha se targat ishin “01”.

“Kanë qenë të vjedhura me 01”, tha Bytyqi.

I pyetur nëse targat ishin raportuar të vjedhura në polici, ai tha “po”.

Policia ka konfirmuar se të dyshuarit ishin të maskuar dhe të armatosur, dhe porsa patrulla policore kishte arritur në vendin e ngjarjes, ata kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të policisë.

Si pasojë e të shtënave, një zyrtar policor është plagosur lehtë nga arma e zjarrit , ndërsa një tjetër zyrtar policor është lënduar gjatë aksionit. Të dy ndodhen jashtë rrezikut për jetë.

“Të dyshuarit janë larguar nga vendi dhe policët iu janë vënë pas, gjatë rrugës të dyshuarit kanë vendosur pengesa të ndryshme dhe kanë arrit që të arratisën”, ka njoftuar policia.

Të dyshuarit ndodhen në arrati, teksa policia fton të gjithë qytetarët që ta njoftojnë policinë nëse kanë informacione që mund të shërbejnë në kapjen e të dyshuarve.

Lidhur me këtë rast Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala, tha se hajnat dyshohet se kanë lidhur me rrip një punëtor të argjendarisë teksa kanë kryer grabitjen.

“Dyshohet që i kanë lidhë me pajisjet që janë për lidhje, janë ato rripat që janë të plastikës, dyshohet një punëtor që e kanë lidhë”, tha Shala.

Prokurorja Ervehe Gashi nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, ka konfirmuar  se vlera e arit që u vodh sot në argjendarinë në Suharekë është rreth 250 mijë euro.

Për vlerën e dëmit, kryeprokurori Shala tha se në vijim do të sqarohet në detaje.

“Sa i përket vlerës së dëmit shuma është përmendur nga të dëmtuarit, besoj në ditët në vijim do ta sqarojmë më ne detaje”.

Në grabitjen e armatosur dyshohet të jenë të përfshirë katër persona

(Kosova Sot Online)