Zgjedhjet parlamentare serbe të 17 dhjetorit s’do të mbahen në Kosovë

  • E.K /
  • 23 November 2023 - 08:14
Zgjedhjet parlamentare serbe të 17 dhjetorit s’do të mbahen në Kosovë

Petar Petkoviq, drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë”  i ka njoftuar serbët e Kosovës se “për shkak të kushteve të papranueshme nga (Kryeministri i Kosovës, Albin) Kurti” zgjedhjet parlamentare të Serbisë më 17 dhjetor nuk do të mund të mbahen edhe në Kosovë.

Kështu bëri të ditur Petkoviq përmes një letreje dërguar Komisionit Republikan Zgjedhor të Serbisë.

“Bazuar në kërkesën tuaj për të përcaktuar mundësinë e votimit për deputetë në Zgjedhjet Nacionale të Republikës së Serbisë të 17 dhjetorit 2023, që të mbahen në territorin e provincës autonome të Kosovës dhe Metohisë, ne ju informojmë juve që aktualisht nuk është e mundshme të zbatohet procedura zjedhore në Kosovë, në mënyrën siç do të ishte e pajtueshme me rregullimet ligjore, si dhe me shtetin dhe interesat kombëtare të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Petkoviq, siç e ka cituar KoSSeV.

Ndërsa për arsyen e mosmbajtjes, Petkoviq shkruan se “Albin Kurti ka kushtëzuar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve me njohin e pavarësisë së shpallur njënashëm të Kosovës nga Beogradi”.

“Sa i përket kërkesës së Serbisë për mbajtje të zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti theksoi se, siç ka njoftuar shefin e OSBE-së në përgjigjen e 17 nëntorit, për këtë është e nevojshme një marrëveshje ndërshtetërore dhe se kërkesa për një marrëveshje të tillë duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar”, ka deklaruar Zyra e Kryeministrit.

(Kosova Sot Online)