Pse ende s’janë identifikuar të dyshuarit e grabitjes në argjendarisë në Suharekë?

  • A.P /
  • 23 November 2023 - 16:07
Pse ende s’janë identifikuar të dyshuarit e grabitjes në argjendarisë në Suharekë?

Policia ka njoftuar se në grabitjen e armatosur e cila ndodhi dje në Suharekë, ku si pasojë u plagos një polic e u lëndua një tjetër morën pjesë katër të dyshuar, të cilët deri tani nuk janë arrestuar, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Dje rreth orës 15:45 një grabitje e armatosur ka ndodhur në një argjendari në qytetin e Suharekës. Katër personat që kryen këtë grabitje u konfrontuan me Policinë e Kosovës, duke lënë një polic të plagosur dhe një të lënduar, gjendja e të cilëve është jashtë rrezikut për jetë.

Sot, Prokuroria Themelore në Prizren,  ka thënë se janë duke kryer veprime hetimore lidhur me rastin.

“Prokuroria Themelore në Prizren në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë duke kryer veprime hetimore lidhur me rastin e grabitjes së argjendarisë në Suharekë”, tha zëdhënësja e Prokurorisë, Fitore Mehmeti.

Ndërkaq, zëdhënësi i Policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi, tha se nuk kanë arritur ende t’i identifikojnë të dyshuarit.

“Jo deri më tani”, tha ai.

Nga ky rast janë publikuar edhe pamje ku shihet se të dyshuarit kishin armë të gjata. Më pas, për të ikur nga vendi i ngjarjes, ata përdorën një veturë, targat e të cilës ishin raportuar të vjedhura.

Këtë informacion e ka konfirmuar  zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili tha se targat ishin “01”.

Grabitësit u ndjekën nga Policia, mirëpo arritën të ikin.

“Të dyshuarit janë larguar nga vendi dhe policët iu janë vënë pas, gjatë rrugës të dyshuarit kanë vendosur pengesa të ndryshme dhe kanë arrit që të arratisën”, ka njoftuar policia.

Ndërsa, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala, tha se hajnat dyshohet se kanë lidhur me rrip një punëtor të argjendarisë teksa kanë kryer grabitjen.

“Dyshohet që i kanë lidhë me pajisjet që janë për lidhje, janë ato rripat që janë të plastikës, dyshohet një punëtor që e kanë lidhë”, tha Shala.

Prokurorja Ervehe Gashi nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, ka thënë se vlera e arit që u vodh në argjendarinë në Suharekë është rreth 250 mijë euro.

Për vlerën e dëmit, kryeprokurori Shala tha se në vijim do të sqarohet në detaje.

(Kosova Sot Online)