Prokuroria e Hagës propozon masa të rrepta ndaj Thaçit, Veselit e Selimit

  • A.P /
  • 23 November 2023 - 17:06
Prokuroria e Hagës propozon masa të rrepta ndaj Thaçit, Veselit e Selimit

Ndryshime thelbësore të kushteve të paraburgimit për ish-presidentin Hashim Thaçi, Kadri Veselin e Rexhep Selimin, ka kërkuar prokurorja amerikane, Kimberly West, e cila tashmë udhëheq me Prokurorinë Speciale të Hagës pas largimit të Jack Smith, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Derisa në një dokument të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara, Prokuroria e Hagës pretendon se të tre, Thaçi, Veseli dhe Rexhep Selimi kanë thyer rregullat e Panelit të Gjyqtarëve duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur apo duke shpërndarë përmbajtje të dëshmive konfidenciale të personave që i kanë vizituar ata në Qendrën e Ndalimit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Prokuroria Speciale e Hagës zbulon se ka bërë edhe hetim për këtë gjë dhe ka gjetur se ka pasur përpjekje të tjera “për të penguar procedurat, duke përfshirë lëshimin e udhëzimeve se si dëshmitarët duhet të dëshmojnë dhe planifikimi i qasjes ndaj dëshmitarëve”.

Për këto arsye, Prokurorja Kimberly West ka kërkuar që në baza të përkohshme të ndahen të tre të akuzuarit dhe që të pezullohen të gjitha komunikimet e jashtme jo të privilegjuara, përfshirë vizitat qoftë në person apo përmes “Zoom”. Gjithashtu këtu përfshihen edhe telefonatat dhe komunikimet me shkrim dhe dërgesat dhe pranimet, derisa paneli të vendos për këtë çështje.

Në pikën tjetër Prokuroria kërkon kufizim komunikimet të tre të akuzuarve më një grup të caktuar të familjes së ngushtë dhe zyrtarë konsullorë që propozohen nga tre të akuzuarit dhe ato të para-miratohen nga Paneli i Gjyqtarëve.

Gjithashtu prokuroria ka kërkuar monitorim aktiv nga një folës i gjuhës shqipe për të gjitha komunikimet jo të privilegjuara të çfarëdo forme, përfshirë monitorimin aktiv dhe regjistrimin e audio dhe video thirrjeve, ruajtjen e të dhënave të tilla deri në përfundim të gjykimit, monitorimin aktiv dhe regjistrimin e të gjitha thirrjeve telefonike dhe ruajtjen e të dhënave deri në fund të gjykimit.

Përveç kësaj Prokuroria ka kërkuar që të mos lejohen vizita jo të privilegjuara në person dhe ato të realizohen vetëm përmes “zoom” apo telefonit dhe të jenë të monitoruara .

Për vizitat e privilegjuara, Prokuroria ka kërkuar që ato të kufizohen vetëm me avokatët dhe bashkë avokuesit, me përjashtim të rasteve të autorizuara me parë nga Paneli në përputhje me paragrafët 47 dhe 49.

Tutje Prokuroria ka kërkuar që tre të akuzuarit të mos vizitohen nga vizitorë të përbashkët.

Prokuroria Speciale e Hagës mbi bazën e pretendimeve të saj gjithashtu ka kërkuar ndarjen e tre të akuzuarave nga të gjithë të burgosurit aktual në Qendrën e Ndalimit.

Sipas Prokurorisë Speciale të Hagës masat e kërkuara “janë të nevojshme për të adresuar rrezikun konkret” për

“a) përpjeke të paligjshme për të ndërhyrë me dëshmitarët dhe për të penguar dëshminë e tyre, b) shpërndarjen e informacionit të dëshmitarit të mbrojtur nga Qendra e Paraburgimit, përfshirë dëshminë konfidenciale të dhënë në këtë rast, c) kërcënime të mëtejshme ndaj integritetit të procedurës. Masat e kërkuar janë mjetet më pak kufizuese për të arritur objektivat e nevojshme”, thuhet në arsyetimin e Prokurorisë së Hagës për masat e kërkuara, shkruan Express.

Prokuroria e Hagës në dokumentin e publikuar pretendon se shumë dëshmitarë të mbrojtur për rastin në fjalë, kanë raportuar se janë qasur nga persona që tentojnë të pengojnë ose ndikojnë në dëshminë e tyre.

Prokuroria e Hagës ka zbuluar se bazë të autorizimit gjyqësor kanë regjistruar në mënyrë të fshehtë vizitat e pa privilegjuara tek tre të akuzuarit në Qendrën e Paraburgimit.

Screenshot nga Dokumenti i Prokurorisë Speciale

Në dokument thuhet se nga përzgjedhja e kufizuar e disa vizitave të regjistruara, pavarësisht pengesave për shqyrtim, nga analizë e Prokurorisë tregohet se në shumë raste “tre të akuzuarit përdoren vizitat e tyre jo të privilegjuara për të shpërndarë në mënyrë të paligjshme informacionin e dëshmitarëve të mbrojtur, për të identifikuar dëshmitarët, dhe në rastin e Thaçit ai udhëzoi vazhdimisht vizitorët që të kërkonin të manipulonin dëshmitë e dëshmitarëve. Secila prej këtyre çështjeve diskutohet me detaje më poshtë”

Prokuroria thotë se njëri prej dëshmitarëve identiteti i të cilëve ishte zbuluar me të akuzuarit me datën 30 janar 2023, ka raportuar se është qasur nga dikush në mars të vitit 2023.

“Gjatë një qasjeje nga Individi 1, [REDAKTUAR] iu tha se Hashim THAÇI dhe Kadri VESELI kishin udhëzuar drejtpërdrejt një person që i vizitoi ata në Hagë që të organizonte që dikush të kontaktonte familjen e [REDAKTUAR] për të përcjellë një mesazh”

Gjithmonë sipas Prokurorisë së Hagës, ky “mesazh i dërguar” për një person emri i të cilit nuk është zbuluar është që “të tërhiqet si dëshmitar dhe të dobësojë dëshminë e [REDAKTUAR] kundër të akuzuarit në këtë rast]

 “Një person i dytë, Individi 2, i cili më pas iu afrua [REDAKTUAR] përsëri konfirmoi se ‘rrethi i tij’, i cili përfshinte njerëz që kishin vizituar Hagën, kishte diskutuar dërgimin e dikujt tjetër për të folur me [REDAKTUAR].14 Mesazhi u përcoll më pas nga ai ‘ grupi’ ishte përsëri që [REDAKTUAR] të mos dëshmoi ose të zbus dëshminë e [REDAKTUAR] kundër të akuzuarve ‘për të mirën e Kosovës’.”, thuhet tutje në dokumentin e Prokurorisë së Hagës.

Prokuroria e Hagës tutje shkruan se “Individi 2” kishte aplikuar për të vizituar Hashim Thaçin në Hagë në shkurt të vitit 2023, bashkë me disa persona të tjerë, megjithatë s’kishte arritur që të merrte pjesë në vizitë për shkak të mospërmbushjes së kërkesave për të hyrë në Holandë.

 “Megjithatë, vizitorët e tjerë [REDAKTUAR] me të cilët ai kishte ndërmend të udhëtonte, e vizituan THAÇIN në [REDAKTUAR] – afërsisht [REDAKTUR] pasi identiteti i [READKTUAR] ishte zbuluar”, potencon Prokuroria e Hagës.

Kërkesa e të njëjtit grup për të vizituar Kadri Veselin, Specialja thotë se ishte ndaluar.

Megjithatë pretendojnë se “Kadri Veseli kishte treguar për të shfrytëzuar vizitën e këtij grupi tek Thaçi edhe për veten e tij dhe që të takohet me ta”.

 Specialja tutje thotë se siç është vërtetuar nga regjistrime e mëvonshme të Qendrës së Paraburgimit, është parë një “dukuri e rregullt” kur të paraburgosurit kanë hyrë dhe kanë marrë pjesë në vizitat të cilat ata s’kanë qenë të autorizuar për të qenë të pranishëm. Nga vizitat e regjistruara Prokuroria thotë se ka identifikuar disa raste në të cilat Kadri Veseli ka hyrë në vizitat e planifikuara të të paraburgosurve të tjerë, përfshirë vizitat e Thaçit në korrik 2023 me dy persona, në gusht 2023 gjithashtu dhe në vizitat tek Rexhep Selimi në korrik 2023 në dy raste.

Prokuroria e Hagës në dokumentin e tyre kanë bashkëngjitur edhe pjesë të bisedave të bëra. Kanë veçuar regjistrimet e bisedave të Hashim Thaçit duke pretenduar se ai “ka abuzuar në mënyrë të përsëritur vizitat e pa privilegjuara për të dhënë instruksione se si duhet të dëshmojnë dëshmitarët dhe ka udhëzuar vizitorët për t’i qasur dëshmitarët në emër të tij”.

Sipas Prokurorisë, Thaçi përgjatë një vizitë në Qendrën e Ndalimit në Hagë në mënyrë të përsëritur e ka udhëzuar një person që t’i japë direktiva tek një person tjetër se si të dëshmoj për siç thotë Prokuroria “minimizuar lidhjet e tij me Shtabin e Përgjithshëm, të mohoj fakte që lidhen me strukturën e UÇK-së dhe të jetë i shkurtër na frika e “rrëshqitjes”

Këtu Prokuroria e Hagës ka bashkëngjitur një pjesë të bisedës së Hashim Thaçit.

Hashim Thaçi: [zë normal] “Unë kam pasur punë me Adem Demaçin

Hashim Thaçi: Ji i shkurt [Pëshpërit] Ai duhet të përgjigjet shkurt [mbyllet dera]… Jo, jo [pëshpërit], ti e di tashmë

Thaçi: [Pëshpërit] “Bosi ishte Demaçi, ai duhet ta thotë artë, sepse çfarë është [ e pa detektueshme], [përshpëritje] [e pa detektueshme], Baca Dem

[REDAKTUAR]

Hashim Thaçi: [e pa detektueshme], kjo është shumë e rëndësishme “Unë asnjëherë s’i kam konsultuar, as ata s’më kanë dhënë ndonjë urdhër”

[REDAKTUAR]

 Hashim Thaçi: Plus mmm

Hashim Thaçi: [Pëshëpritje] Komunikatat ishin propagandë

[Redaktuar]

Hashim Thaçi: Dil nga këtu si një hero. Thuaj atij “Ju keni ardhur këtu për ta lënë këtë vend si hero. Mos e le me turp”

Gjithashtu në Dokumentin e Prokurorisë Speciale të Hagës janë zbuluar edhe biseda të Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

(Kosova Sot Online)