Kurti: Ta bëjmë Kosovën me ekonomi dhe sektor privat super-konkurrues

  • A.P /
  • 24 November 2023 - 16:39
Kurti: Ta bëjmë Kosovën me ekonomi dhe sektor privat super-konkurrues

Zyra e Kryeministrit, me mbështetjen e Qeverisë zvicerane dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ka organizuar sot Konferencën për Dialogun Publiko-Privat, gjatë të cilës u prezantua ‘Forumiks’, platforma e dialogimit midis sektorit privat dhe qeverisë, si dhe plani për Agjencinë e re për Investime dhe Eksport, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në këtë konferencë, mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti. Gjatë adresimit të tij ai theksoi se u mblodhën sot me një slogan frymëzues "Fuqizimi i Progresit Nëpërmjet Dialogut”, duke u shprehur optimist se kërkesat dhe nevojat do të mund të hasin në mirëkuptim, pikërisht duke e shtuar dialogun e institucioneve publike, shtetërore e qeveritare me sektorin privat që paraqet themelin e rritjes së zhvillimit dhe progresit ekonomik e shoqëror të Republikës së Kosovës, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Sipas Kurtit ky lloj dialogimi bëhet nëpërmjet katër shtyllave kryesore: Sektorit Privat, Institucionevet Publike, Organizatave Ndërkombëtare dhe  Organizatave Jo-Qeveritare.

“Të katër këto shtylla nëpërmjet dialogut publiko-privat projektojnë vizonin më të mirë të mundshëm mbi konkurrueshmërinë dhe bashkëpunimin për prosperitetin e vendit dhe të qytetarëve tanë. Qytetarët e këtij vendi, bashkëkombësit tanë nëpër botë dhe aleatët tanë ndërkombëtarë duhet ta kemi së bashku një synim të vetëm: Ta bëjmë Kosovën me ekonomi dhe sektor privat super-konkurrues”, potencoi kryeministri.

Konkurrueshmëria, siç tha ai, sjellë më shumë prodhim dhe eksport, më shumë vende pune, më shumë mirëqenie, më shumë të hyra për shtetin, që pastaj investohen në arsim e në shëndetësi dhe kësisoj vazhdon cikli virtuoz ku rezultatet qojnë në një zinxhir vetë forcues të zhvillimit të shpejtë të qëndrueshëm të pakthyeshëm.

Kurti u shpreh i bindur që me vullnetin e mirë që ekziston tek bizneset dhe shoqatat e tyre, tek qeveria, dhe të gjithë akterët në ekosistemin e sektorit privat e publik “bashkë të gjithë do të mund t’i shndërrojmë idetë në realitet dhe vizionin për zhvillim në arritje konkrete”.

Në këtë konferencë, shefi i stafit të kryeministrit, Luan Dalipi, prezantoi planin për Agjencinë për Investime dhe Eksport dhe platformën e re për Dialog Publiko-Privat. Ai tha se forcë shtytëse e bizneseve është konkurrueshmëria përmes rritjes së cilësisë dhe sasisë së prodhimit dhe eksportit.

Në konferencë prezantuan gjithashtu drejtori i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Sergiy Maslichenko dhe udhëheqësi i Sekretariatit të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, Artan Mehmeti, respektivisht për rëndësinë, rolin dhe metodologjinë e punës së kësaj platforme dialoguese.


(Kosova Sot Online)