Dokumentet që publikoi Berisha: Si e vodhën Rama dhe Bolino, tokën e falur për ndërtimin e një gjimnazi

  • S.A /
  • 25 November 2023 - 12:30
Dokumentet që publikoi Berisha: Si e vodhën Rama dhe Bolino, tokën e falur për ndërtimin e një gjimnazi

Gjatë konferencës së përjavshme me gazetarët të mbajtur dje, Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha, publikoi dokumente të reja se si e vodhën Edi Rama dhe Carlo Bollino tokën e falur për ndërtimin e një gjimnazi në vitin 2013 në Tiranë. Berisha tha se, toka e caktuar për shkollë u vodh për pallat privat për median Rama-Bollino.

Berisha tha se, mburojë e skandalit Rama-Bollino bëhet SKAP-i i partisë, pasi ai aktivizohet vetëm me porosi. Berisha tha se, ky është një akt unik, por Edi Rama ka me dhjetëra e dhjetëra vendime me të cilat ka vjedhur. 

Sot jam para jush për të denoncuar vjedhjen nga Edi Rama dhe Bollino i tij me firmën e Edi Ramës. Tre vendime të Këshillit të Ministrave me emër të përveçëm brenda 7 muajve të firmosur nga vetë Edi Rama për t’i rrëmbyer komunitetit nga Rama dhe Bollino të 4900 m2 tokë e lënë dhuruar për ndërtimin e gjimnazit.

Siç e shihni, ky është plani rregullues i Tiranës. Familjet fisnike të qytetit kanë dhuruar një territor prej 5000 m2 në mënyrë që komuniteti i kësaj zone të ketë gjimnazin e vetë, për arsye se një zonë me 60 mijë banorë nuk kishte një të tillë. Rregullorja e planit kjo, ku thuhet: Shkollë e mesme në rrugën Ndre Mjeda, njesia bashkiake nr.7, zona nr.11. Kjo është planimetria e zonës, kjo është toka e rrëmbyer me firmën e Edi Ramës.

Të nderuar miq, sot do paraqesim me fakte se si Edi Rama keqpërdor pozitën e tij zyrtare për të grabitur troje dhe ndërtesa në Tiranë dhe SKAP-i mercenar i tij qendron mburojë e kësaj vjedhje, e këtij krimi shtetëror.

Edi Rama me larot e tij në SKAP dhe gjykatën e tij speciale sulmon Berishën, pse miratoi ligje për kthimin dhe kompensimin e pronave të cilat shteti komunist ua kishte grabitur pronarëve të ligjshëm.

Ndër reformat e bën e PD që gjatë viteve 2006-2012, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të kthejë fizikisht, apo të kompensojë 1.577.400.000 m2 për tokë te pronarët e ligjshëm. Edi Rama dhe larot e tij të SKAP-it me gjykatën e partisë pretendojnë se ato reforma janë kryer për të favorizuar Jamarbër Malltezin, të cilit në përputhje të plotë me ligjin iu kthyen gjithsej 410 m2 nga prona e të parëve të tij, themeluesve të qytetit të Tiranës.

Në tërë këtë piramidë mashtrimi të ngritur nga Edi Rama dhe larot e tij mbi privatizimin e Klubit Partizani, Sali Berisha nuk ka nxjerrë vendim me emër të përvetshëm, ndërsa Edi Rama ka dhjetëra të tilla, por natyrisht ka SKAP-in e partisë mburojë, i cili heton vetëm me urdhër politik ish-pronarë që kanë marrë 410 m2 tokë në përputhje të plotë me ligjin, të grabitura 60 vjet më parë nga regjimi komunist.

Këtu keni 3 vendimet në një hark kohor prej 7 muajsh me të cilën ka ndodh një nga vjedhjet më spektakolare, më kriminale me firmë të Edi Ramës të tokës truall të dhuruar për gjimnaz në mes të Tiranës.

Me këto vendime, u vodhën, u rrëmbyen rreth 4900 m2 tokë.

Me vendimin e parë të Këshillit të Ministrave me nr. 642 datë. 02.10.2019, Edi Rama i dhuron vetes dhe Bollinos së tij 4020 m2 tokë dhe mbi 1600 m2 ndërtesë për një 1 euro për 20 vjet.Pra, 4020 m2 tokë për 20 vite me 1 euro. E caktuar për shkollë, merret për pallat privat medie. Me VKM-në e dytë nr.157, datë 19.02.2020, 4 muaj më vonë, pasi oreksi i Ramës dhe Karlos së tij vijnë duke ngrënë, vendosin që të grabisin edhe një sipërfaqe shtesë prej 870 m2 po me 1 euro.

Dhe Edi Rama me firmën e tij amendon, shton në kontratë edhe 860 m2.

Por tre muaj më vonë, përsëri Edi Rama përdor firmën në mënyrën më abuzive, më korruptive, dhe me vendimin e tretë të Këshillit të Ministrave të datës 06.05.2020 nr.368, Edi Rama mbledh qeverinë për të prishur tre ndërtesat që ia kishte dhënë me qira vetes dhe Bollinos së tij.

Pra, fillimisht u dhanë me 1 euro, tani duhej të prisheshin. Nuk shpenzonin asnjë qindarkë, duhej t’ua prishte shteti. Kjo bëhet që të pastrohet toka, por edhe për më shumë. Kjo bëhet që investimet Rama-Bollino të tejkalojnë në vlerë, vlerën e tokës dhe të bëhen de fakto në vitet në vazhdim, pronë e tyre. Të bëhet pronë e tyre edhe toka.

Kjo tokë, e thashë, ishte e destinuar në planin rregullator të vitit 2013 për gjimnaz. Banorët e zonës bënë protesta kur panë se toka e dhuruar për gjimnaz po grabitej nga Rama dhe Bollino. Dhe ju mund të bëni një kontroll në mediat tuaja. Por natyrisht mburojë e këtij krimi qendronte SKAP-i i partisë, pasi ai ka, ose vepron, aktivizohet vetëm me porosi.

Ndaj dhe sot, unë ftoj qytetarët të shtrojnë disa pyetje për këtë aferë të shëmtuar korruptive. Pse u zhduk shkolla e mesme nga plani rregullues i bashkisë i vitit 2013 që do ndërtohej mbi truall të faluar nga familjet fisnike të Tiranës?

Edi Rama nuk ka tagër të ndryshojë asgjë me vendim qeverie në planin rregullues të qytetit të Tiranës.

2. Pse nuk u lidh kontrata e qirasë me Bashkinë e Tiranës, pasi prona ishte e bashkisë dhe pronarët e kishin dhuruar për ndërtimin e gjimnazit. Kjo së pari, se Këshilli Bashkiak, pavarësisht nga urdhri që merrte nga Edi Rama, do e kishte të pamundur të shumëzonte me zero, të hiqte një shkollë për të ndërtuar pallatin e mediave të Ramës dhe Bollinos.

Pra, u krye një krim, u shkel një ligj vetëm e vetëm pse Këshilli Bashkiak nuk mund të miratonte një vendim të tillë. Pse të mos nxirrej, në qoftë se konkludohej se kjo shkollë nuk duhej, ligji ishte se kjo tokë që me çmim reference kushton 1 milion e 250 mijë euro, pse të mos nxirrej nga bashkia në ankand?

Për të ndërtuar qoftë dhe ndërtesa sociale për banorët. Por do ndërtohej pallati Rama-Bollino me tre firma të Edi Ramës.

Pse nxori Edi Rama, VKM të veçantë, VKM-në e tretë, për të prishur objektet që sapo i kishte

marrë me Bollinon e tij?

Qëllimi pra është i qartë, që të mos shpenzohej një qindarkë për prishjen e tyre. Së dyti, në mënyrë që investimi të tejkalonte vlerën e tokës dhe këta të bëheshin pronarë të përjetshëm të tokës së vjedhur.

Së fundmi, në rast se i ndryshoi destinacioni, pse nuk e bleu me çmimin e referencës, por e dha me 1 euro, për të ngritur median e tyre në funksion të pushtetit të tyre, duke i privuar arkës së shtetit, vetëm me çmimin e referencës 1 milion e 250 mijë euro me tre vendimet e tij antiligjore, me të cilën ka përvetësuar këtë pronë.

Pra, ky është një akt unik, por Edi Rama ka me dhjetëra e dhjetëra vendime me të cilat ka vjedhur, ka rrëmbyer me sojin e tij prona, objekte, të cilat ne sigurisht në mënyrë të vazhdueshme do i paraqesim para jush.

(Kosova Sot Online )