Vuçiq: Serbia nuk do të lejojë që Kosova të anëtarësohet në OKB

  • G.G /
  • 27 November 2023 - 10:23
Vuçiq: Serbia nuk do të lejojë që Kosova të anëtarësohet në OKB

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia nuk “do të lejojë që Kosova të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara” dhe se vendi ka “shumë gjëra të vështira përpara dhe ditë, javë dhe muaj jo të lehta”.

“Do të përpiqen të zgjidhin shumë gjëra në Kosovë para zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe para zgjedhjeve evropiane. Nuk do të jetë e lehtë. Është detyra jonë të luftojmë dhe mbrojmë “vendin tonë” sa më shumë që të mundemi, gjithmonë dhe në çdo vend”, ka deklaruar Vuçiq para gazetarëve.

Duke iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me takimin e shefit të shtatmadhorisë së ushtrisë serbe me komandantin e KFOR-it, Vuçiq edhe me këtë rast ankohet:

“Kur flet në kuptimin politik, gjatë gjithë kohës je dëshmitar i jo standardeve të dyfishta, por sjelljeve pothuajse të pamatura, hipokrite, në të cilat KFOR-i dhe NATO për mandatin e tyre i referohen Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kur i pyet për normat tjera nga kjo Rezolutë, atëherë përgjigja është “harroje, mos shiko nga e kaluara, shiko nga e ardhmja”, ka pretenduar Vuçiq.

“Kjo është diçka me të cilën ne, të cilët nuk jemi mjaftueshëm të mëdhenj, duhet të mësohemi dhe të luftojmë për popullin dhe vendin tonë brenda kufijve të asaj që është e mundur”, ka thënë Vuçiq, duke shtuar: “Qëllimi i tyre kryesor është të na vendosin në një situatë të kornizës ligjore në të cilën ne në një mënyrë apo tjetër do të njohim pavarësinë e Kosovës”.

“Nuk janë çështje kyçe as zgjedhjet në veri, as votimet në Kosovë për zgjedhjet e Serbisë, as dokumentet as targat…. por vetëm njohja.

“Është lehtë për çdo njeri të thotë atë që dëshiron, vetëm duhet të dini se ka pasoja për këtë. Mos lejoni që t’ju gënjejnë se nuk do të ketë pasoja për këtë”, ka thënë Vuçiq, duke pretenduar se “kërkesat do të vazhdojnë për të nënshkruar atë që ai u ka thënë vazhdimisht se është e pamundur”.

“Çdo ditë do t’ju ​​thonë: “Ju e dini që Kosova tashmë ka sanksione, ndaj të gjithë po kërkojnë që t’i ​​keni edhe ju”. Ju i pyesni “për çfarë?”, ata përgjigjen “Epo, Banjska”, ka pretenduar Vuçiq, duke iu referuar sulmit të fundit terrorist në Kosovë në të cilin u vra një polic i Kosovës dhe tre terroristë serbë më shumë se dy muaj më parë.

Vuçiq, gjithashtu është “lavdëruar” se iu ka thënë në fytyrë presidentit francez Emmanuel Macron, kancelarit gjerman Olaf Scholz, kryeministres italian Giorgia Meloni, Presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel, Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Josep Borrell dhe të dërguarit special të BE-së. për Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak se “nuk do të nënshkruajë”.

“E kam thënë një mijë herë që nuk do ta bëj, edhe në vendet më të vështira”, ka përfunduar Vuçiq “lavdërimin” e tij para zgjedhjeve të përgjithshme serbe.

(Kosova Sot Online)