Stoltenberg: Aleanca do të bëjë çdo gjë që nevojitet për të ruajtur qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor

  • A.P /
  • 27 November 2023 - 20:00
Stoltenberg: Aleanca do të bëjë çdo gjë që nevojitet për të ruajtur qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të hënën se aleanca do të bëjë çdo gjë që nevojitet për të ruajtur qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor dhe për këtë arsye do të diskutojë mundësinë e shtimit të përhershëm të pranisë ushtarake në rajon, për të mbajtur tensionet nën kontroll, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai i bëri këto komente në një konferencë shtypi në prag të takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel, në të cilin do të marrë pjesë edhe sekretari amerikan i Shtetit Antony J. Blinken. Takimi do të ketë në qendër të diskutimeve agresionin rus në Ukrainë dhe situatën në Ballkanin Perëndimor.

NATO-ja vendosi trupa shtesë në Kosovë pas një përleshjeje të armatosur ndërmjet policisë së Kosovës dhe një grupi serbësh të armatosur në veri të vendit me 24 shtator, një ngjarje që cilësohet si më e renda që nga koha kur Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008.

“Tani po shqyrtojmë nëse kjo rritje duhet të jetë më afatgjate, nëse ka nevojë për kapacitete të reja, por deri më tani kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm duke shtuar numrin e trupave tona. Gjithashtu u bëjmë thirrje edhe Prishtinës edhe Beogradit që të angazhohen në mirëbesim në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe besojmë se propozimi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe mund të jetë një hap i rëndësishëm përpara për ta çuar këtë dialog në një drejtim më konstruktiv”, tha sekretari Stoltenberg.

(Kosova Sot Online)