Stoltenberg: Stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është i rëndësishëm për gjithë Europën, do të bëjmë çfarë duhet

  • E.K /
  • 28 November 2023 - 11:43
Stoltenberg: Stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është i rëndësishëm për gjithë Europën, do të bëjmë çfarë duhet

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se Aleanca do të bëjë çfarë duhet për të siguruar stabilitet në Ballkanin Perëndimor, duke shtuar se paqja në këtë rajon është e rëndësishme edhe për vetë Europën dhe NATO-n.

Këtë deklaratë Stoltenberg e bëri para takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s kur u pyet nga një gazetar mbi deklaratën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili tha më herët se në bazë të informatave inteligjente, Rusia do të tentojë të nxisë luftë në Ballkan.

“NATO do të bëjë çfarëdo që duhet që të mbajë stabilitet në rajon, sepse është e rëndësishme jo vetëm për rajonin, por për gjithë Europën dhe NATO-n”.

Ai foli edhe për vizitën e tij në disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe atë në Kosovë ku u takua me krerët e shtetit.

“Çfarë pamë atje është se tensionet janë duke u rritur. Kemi parë rritje tensionesh dhe retorikë përçarëse në Bosnje e Hercegovinë. Kemi parë disa incidente serioze të dhunës në Kosovë, përfshirë sulmin në paqeruajtësit e NATO-s ku 93 ushtarë janë lënduar, disa prej tyre me lëndime serioze. Dhe po ashtu pamë edhe incidentin e Banjkës ku disa njerëz janë vrarë në shtator në Kosovë. Këto janë incidente serioze dhe ne duhet të qëndrojmë të fokusuar në Ballkanin Perëndimor dhe në të njëjtën kohë ndaj luftës në Gaza dhe për të vazhduar t’i japim mbështetjen Ukrainës”.

Stoltenberg tha se NATO ka prezencë në Bosnje e Kosovës dhe se do të punojnë bashkë me Bashkimin Europian dhe misionet për qëllimin e mbajtjes së stabilitetit.

“Do të punojmë bashkë me partnerët, aleatët në rajon për të siguruar që të bëjmë çfarë duhet për të reduktuar tensionet”.

Në këtë takim ku do të marrë pjesë edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ku do të diskutohet edhe për Ballkanin Perëndimor.

(Kosova Sot Online)