Pse aleatët e NATO-s po i bëjnë trysni Turqisë?

  • A.P /
  • 28 November 2023 - 16:42
Pse aleatët e NATO-s po i bëjnë trysni Turqisë?

Aleatët e NATO-s i kanë bërë trysni Turqisë të martën që ta pranojë anëtarësimin zvarritur të Suedisë në aleancën ushtarake, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i tha homologut të vet turk, Hakan Fidan, gjatë një takimi të ministrave të Jashtëm të aleancës në Bruksel të martën që aplikimi i Suedisë duhet të ratifikohet nga parlamenti turk “sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha zëdhënësi i tij.

“Forca dhe besueshmëria e aleancës sonë janë në rrezik. Nuk duhet ta humbim asnjë ditë tjetër”, tha ministrja e Jashtme e Francës, Catherine Colonna.

Turqia dhe Hungaria janë dy anëtaret e vetme të NATO-s që ende nuk e kanë ratifikuar aplikimin e Suedisë, as 18 muaj pasi ajo aplikoi për t’iu bashkuar aleancës.

Parlamenti turk e nisi këtë muaj një debat për aplikimin e Suedisë në NATO.

Të 29 aleatët e tjerë të NATO-s, përjashtuar Turqinë dhe Hungarinë, shpresonin se do ta mirëprisnin Suedinë edhe formalisht në aleancë gjatë takimi të ministrave të Jashtëm në Bruksel këtë javë.

Por, procesi i anëtarësimit të saj ka ngecur në Parlamentin turk.

Suedia dhe Finlanda hoqën dorë nga politika e neutralitetit ushtarak dhe aplikuan për t’iu bashkuar NATO-s, pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022.

Finlanda u bë anëtarja e 31-të e NATO-s në prill.

Ministrja e Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen, tha se Helsinki ndihet “i zhgënjyer” që Suedia nuk është pranuar ende në aleancë.

Anëtarësimi i Suedisë është tejet jetik për tërë aleancën dhe ne shpresojmë në të ardhmen e afërt do të ndërmerren hapa të tjerë në atë drejtim”, tha ajo.

(Kosova Sot Online)